Ndërprerja e kampionatit për shkak të ndeshjeve të Kombëtares së Shqipërisë, ka bërë që shumë prej ekipeve të Superiores të mendojnë për zhvillimin e miqësoreve këtë fundjavë. Një gjë të tillë ka bërë edhe Vllaznia. Klubi shkodran ka njoftuar për zhvillimin e një ndeshje miqësore ditën e shtunë në orën 14:00 në stadiumin “Loro Boriçi”, teksa përballë do të jetë skuadra e Superligës malazeze, Arsenal Tivat. Kjo e fundit renditet aktualisht në vendin e pestë në kampionatin malazez.
Ky ekip pas 16-ndeshjesh të luajtura, ka arritur të grumbullojë 21-pikë, teksa kanë marrë pesë fitore, gjashtë barazime dhe kanë pësuar pesë humbje. Ndërkohë, pjesë e Arsenal Tivat është edhe ish-portieri i Vllaznisë, Bojan Zogoviç. Ai do të rikthehet sërish në Shkodër, por këtë herë si kundërshtar në këtë miqësore. Ndërkohë, përveç portierit Zogoviç, ekipi i Arsenal Tivat në rradhët e tij ka disa futbollistë cilësorë, teksa një nga lojtarët e kësaj skuadre, pikërisht Abdullahi është një nga golashënuesit më të mirë të kampionatit malazez.
Në këtë miqësore, stafi teknik i Vllaznisë, me në krye trajnerin Thomas Brdariç, ka ndërmend që të aktivizojë të gjithë futbollistët për t’u dhënë atyre minutat e duhura. Kjo miqësore me siguri do t’i vlejë jo pak këtyre lojtarëve, por edhe stafit të Vllaznisë për të parë gjendjen e tyre. Ndërkohë, javën e ardhshme, kuqeblutë do të luajnë për kampionat ndaj Teutës po në “Loro Boriçi”, teksa padyshim edhe në këtë ndeshje synim mbetet vijimi i ecurisë pozitive në kampionat.