Vllaznia ka fituar 1-0 ndeshjen miqësore ndaj Tërbunit të Pukës që u luajt në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Goli i fitores për kuqeblutë u shënua nga Latifi përmes një penalltie duke bërë që ky të jetë goli i parë për të pas nënshkrimit me skuadrën shkodrane. Në përfundim të kësaj ndeshje trajneri i Vllaznisë Thomas Brdariç është i kënaqur me lojën e ekipit të tij.
I pyetur nëse kampionati i ardhshëm është më i fortë, trajneri Brdariç e pranon një gjë të tillë dhe e di se Vllaznia do të duhet që të punojë shumë fort për të arritur të njëjtin sukses si kampionatin e kaluar apo fitimin e titullit kampion.
Një problem mbetet loja sulmuese por edhe aty tekniku Brdariç shprehet se lojtarët do të punojnë shumë që të jenë sa më efektiv. Sa i përket lojtarëve në provë ende nuk është vendosur asgjë nëse do të qëndrojnë apo jo.
Vllaznia vijon që të jetë në kërkim të disa lojtarëve të tjerë për të formuar grupin e plotë pas edhe disa largimeve nga ky ekip në mënyrë që të jetë sërish një ekip konkurues dhe pretendent sezonin e ardhshëm futbollistik.