Vllaznia ka thyer “mallkimin” ndaj Egnatias, teksa ia ka dalë të mposhtë rrogozhinasit me rezultatin 2-1. Skuadra e Edlir Tetovës ishte kthyer në një “kockë të fortë” për shkodranët, por tersi i tetë ndeshjeve rradhazi u thye tashmë. Një ndeshje e luftuar nga të dyja ekipet, por në fund festuan kuqeblutë. Vllaznia kaloi e para në avantazh me Balajn, që shënoi në minutën e 3-të, pas një gabimi në zonën e Egnatias. Rrogozhinasit ia dolën të barazojnë shifrat, falë një supergoli të shënuar nga Edison Ndreca, në minutën e 27-të. Në minutën e 54-të, ishte Gruda që riktheu avantazhin e vendasve. Në fund, Vllaznia ishte me fat, pasi gjuajtja e Montenegro, u ndal te shtylla. Pas ndeshjes, trajneri i Vllaznisë, Qatip Osmani, deklaroi se ky rezultat është dhuratë e mirë për të gjithë për 105-vjetorin e klubit.

Nga ana tjetër, trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, deklaroi se në këtë sfidë donte t’i jepte minutazh të gjithë futbollistëve.

Në lidhje me këtë përballje foli edhe presidenti i kuqebluve, Alban Xhaferi, që në një prononcim të dhënë për mediat, u shpreh se e sheh skuadrën e tij gjithnjë në rritje.

Me këtë fitore, Vllaznia mbetet në vendin e tretë me 40-pikë, po aq sa edhe Partizani i vendit të dytë, ndërsa Egnatia mbetet në krye, me 8-pikë më shumë.

Artikulli paraprakAKADEMIA VLLAZNIA, NJË FITORE DHE NJË HUMBJE
Artikulli tjetërBESËLIDHJA NË FUTBOLL NUK NDALET