Rezultatet e dobëta të Vllaznisë dhe humbja e fundit me Laçin ka bërë që tifozët të bëhen gati për të protestuar. Këtë radhë nuk do të dalin në rrugë por pritet që të braktisin shkallët në fushën sportive “Reshit Rusi” në përballjen që kuqeblutë kanë të dielën ndaj ekipit të Teutës. Kjo me qëllimin për të lënë të vetëm në tribunën vip krerët më të lartë të klubit.
Tifozët e Vllaznisë do t’i rikthehen protestave nga pakënaqësia me drejtuesit e ekipit të tyre të zemrës. Thuajse në të gjitha faqet në rrjetet sociale të tifozëve ka një pakënaqësi të shfaqur qartazi dhe pritet që në sfidën e të dielës tifozët të mos jenë të pranishëm në fushën sportive “Reshit Rusi” për të ndjekur Vllazninë në përballjen me Teutën duke lënë aty vetëm tribunën VIP dhe drejtuesit e klubit. “Pergjigjia me e mire do ishte te dielen ndaj Teutes qe ‘Reshit Rusi’ te jete krejtesisht i boshatisur, ndeshjen le ta ndjekin drejtuesit e klubit te cilet vazhdojne te tallen me popullin shkodran dhe emrin e Vllaznise. Futbollistet nuk kane perse kerkojne mbeshtetje mjafton te kuptojn se çfare fanelet mbajn veshur, te luajne me zemer dhe te japin 110%. Kjo eshte e rendesishme, pastaj ne futboll edhe mund te humbasesh. Kur eshte luajtur me zemer duke derdhur djerse dhe ndeshja ne fund eshte humbur ekipi ka marre duartrokitjet. Siç e thashe me siper ne futboll mund edhe te humbasesh. Humbje si ajo ndaj Laçit nuk pranohet. Beni kthesen dhe luani denjesisht per kete fanele qe mbani veshur”-shkruan nje prej faqeve ne radhet e tifozeve kuqeblu. Po kështu edhe shumë të tjerë në opinionin sportiv nuk kapërdijnë humbjen me Laçin dhe mungesën e angazhimit. Nga sa mësohet në analizën e kuqebluve i është dhënë besimi i plotë trajnerit Armando Cungu për të vijuar punën ashtu siç edhe ndaj lojtarëve nuk është marrë asnjë masë ndëshkuese për mos t’i vënë nën presion psikologjik. Një rezultat negative me Teutën mund të ishte thuajse fatale për Vllazninë ndaj kërkohet medoemos kthesa që në takimin me durrsakët.