Tifozët e Vllaznisë duke parë situatën e vështirë në të cilën ndodhet Vllaznia do të organizojnë një protestë për gjendjen alarmante që po kalon ky klub në këtë fillim sezoni.

Protesta ka për organiztor tifo-grupin “Vllaznit Ultras” të cilët prej shumë kohësh kanë shprehur revoltën e tyre në rrjetet sociale, revolt e cila tashmë do të kthehet në një protestë përpara bashkisë Shkodër. Siç bëjnë të ditur përmes faqes se tyre në rrjetin sociale facebook, protesta do të zhvillohet ditën e hëne të javës së ardhshme nga ora18:00-19:00 në rrugën pedonale përpara godinës së bashkisë Shkodër. Siç bëjnë të ditur “Vllaznit Ultras” protesta do jetë masive si dhe do ketë disa kërkesa konkrete. Në njoftimin e tyre tifozët kuqeblu bëjnë me dije se kërkesa e parë e tyre është shkarkimi i menjëhershëm i stafit drejtues për paaftësi, keqmenaxhim dhe përfitime personale në kurriz të klubit Vllaznia. 

TIFOZËT: TË SHKARKOHEN DREJTUESIT, TË GJEHET NJË PRESIDENT

Kërkesa e dytë është për zgjidhjen e menjëhershme të situatës në të cilën ndodhet Vllaznia nepërmjet gjetjes së një sponsori apo presidenti serioz sepse koha tregoi se për 4 vite bashkia Shkodër nuk është e aftë të menaxhojë këtë klub. Pika e tretë dhe e fundit ka të bëjë me vendosjen e autobusëve falas për tifozët që duan ta ndjekin skuadrën e Vllaznisë në transfertë duke qenë se paguhen përmes taksave të qytetarëve. Duke vijuar më poshte në njoftim, “Vllaznit Ultras” shtojnë se nëqoftëse kryetarja e bashkisë nuk e ka kuptuar ende gjendjen alarmante në të cilën ndodhet Vllaznia atëherë ka ardhur koha t’ja tregojmë që të marrë seriozisht zgjidhjen e këtij problem dhe ta kuptojë sesa e rëndësishme është Vllaznia për Shkodrën dhe gjithë veriun. Duke mbyllur njoftimin e tyre tifo-grupi “Vllaznit Ultras” sqarojnë se pjesëmarrja në protestë është e obligueshme për çdo tifoz shkodran dhe në rast se kërkesat nuk merren për bazë kjo protestë do përshkallëzohet. “Vllaznit Ultras”, “një jetë, dy ngjyra, një skuadër” – përfundon njoftimi i tifozëve për këtë protestë.

Artikulli paraprakKRIZA E EMIGRANTËVE, BLLOKOHET KUFIRI KROACI – SERBI
Artikulli tjetërVLLAZNIA-LAÇI, NDESHJA MES DURRËSIT DHE PUKËS