Vllaznia nuk ia ka dalë që të marrë një rezultat pozitiv në klasiken e futbollit shqiptar, ndeshjen ndaj Tiranës. Kuqeblutë humbën 0-1 brenda në Shkodër me një gol në minutat e fundit të lojës që vulosi këtë fitore të rëndësishme për kryeqytetasit.

Vllaznia pati shanse të mira me Zhunjor dhe Zogaj por nuk i shfrytëzuan duke bërë që Kobonah me një gjuajtje pa shumë pretendime të dërgojë topin në rrjetë dhe të sigurojë fitoren. Pas kësaj humbje që nuk e priste trajneri i Vllaznisë Mirsad Jonuz për herë të parë dërgoi përgjegjësinë tek disa lojtarë.

“Çfarë mund të them për këtë ndeshje pas këtij rezultati, është shumë e vështirë. Në pjesën e parë luajtëm për mbrojtjen më tepër dhe kishim probleme me Torrasen i cili krijonte raste të mira për Tiranën dhe ky ishte një gabim për ekipin tim. Në pushim të ndeshjes i thashë lojtarëve që të bllokojnë Torrasën dhe Bathën dhe më pas gradualisht të hapin lojën për të shënuar gol.

Çfarë mund të them pas kësaj humbjeje. Disa lojtarë të Vllaznisë kanë nivel mesatar dhe jo nivel të lartë dhe ky problem bashkë me anën psikologjike nëse nuk largohen bën që skuadra të ketë gjithmonë probleme. Unë këtë material kam në ekip dhe me ata kanë krijuar produktin final tek Vllaznia dhe çfarë mund të themi për këtë produkt, përgjigja është shumë e thjeshtë, nëse ke ose nuk ke lojtare të nivelit të lartë për kampionatin shqiptar.

Unë i kam mbështetur këta lojtar dhe kanë humbur shumë ndeshje të ngjashme por ju e patë sot çfarë ndodhi, një gjuajtje një gol. Në pjesën e dytë dhanë gjithçka, krijuan disa raste të ndryshme por ajo që na duhet është që të shënojmë golat”.

Trajneri Jonuz për herë të parë tashmë flet edhe për problemet që ka klubi Vllaznia duke përmendur fushën aspak normale të stërvitjes në Golem.

“Në 10 minutat e fundit i thashë lojtarë që të mbrojnë sepse rezultati është 0-0 por lojtarët shihnin se ndeshje ishte e hapur dhe kërkuan të shënojnë për ta fituar ndeshjen dhe çfarë mund të them për pjesën e dytë më shumë, një gjuajtje një gol dhe këtu duhet të mbyllet diskutimi im. Malota u dëmtua dhe u desh që ta zëvendësoja dhe ky nuk është problemi im, dëmtimet janë normale.

Hygor vrapoi shumë dhe në 10 minutat e fundit ishte i lodhur dhe e zëvendësova me Krymin dhe është normale që kur për 80 minuta nuk shënon në 10 minutat e fundit të mbrohesh dhe gjithçka po shkonte mirë por siç e thashë disa lojtarë kanë nivel mesatar.

Kjo është një punë e vështirë dhe për vazhdimësinë e them sërish se Vllaznia duhet mbështetur sepse ne jemi stërvitur në Golem për katër muaj në një fushë aspak normale sepse aty duhet 3-4 sekonda për një pasim apo kontroll topi dhe kur vjen në stadium për të luajtur lojtarët e kanë të vështirë dhe kjo ka ndikim edhe psikologjik. Ndoshta këto lojtarë kanë mundësi për të shkuar në Europë këtë sezon por duhet mbështetje dhe infrastrukturë”.

Trajneri i Tiranës Emanuel Egbo thotë se Zoti është me kryeqytetasit dhe po ndihmon këtë ekip në fitoret e njëpasnjëshme.

Vllaznia do të luaj një tjetër sfidë të vështirë me Flamurtarin në mesjavë për Kupë dhe më pas kuqeblutë do udhëtojnë drejt Durrësit për të luajtur me Teutën në kampionat ndërsa humbja me Tiranën vështirëson tepër situatën tek skuadra shkodrane.

Artikulli paraprak“KUR BORXHI T’XEN FRYMËN” SHFAQET EDHE NË KOPLIK
Artikulli tjetërPD VAU DEJËS FESTON 29 VJETORIN E KRIJIMIT TË SAJ