Mes spektaklit dhe katër golave të shënuar, ndeshja mes Vllaznisë dhe Tiranës nuk ka prodhuar fitues, duke u mbyllur në barazim 2-2. Dopieta e Bekim Balajt për Vllazninë dhe golat e Jarmouni dhe Ismajlit nuk i dhanë fitoren asnjërës prej dy ekipeve. Në fakt, ndeshja në Shkodër nisi me 30-minuta vonesë pas një problemi në VAR. E para që do të kalonte në avantazh ishte Tirana me anë të Jarmouni, i cili shënoi pas një pakujdesie të portierit Qarri në një goditje këndi. Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat.
Në të dytën, Bekim Balaj barazoi ndeshjen, duke shënuar nga pika e bardhë, pas një penalltie të vendosur nga kryesori Cjapi. Në të 76-tën, Tirana ndëshkoi sërish Vllazninë me një gol fotokopje të pjesës së parë, teksa shënoi me anë të Ismajlit. Megjithatë, Bekim Balaj barazoi përsëri shifrat në 2-2 me një goditje dënimi të ekzekutuar mjeshtërisht. Kështu, në këto shifra u mbyll pa fitues ndeshja në “Loro Boriçi”. Pas barazimit ndaj Tiranës, trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç u shfaq i lumtur për atë që skuadra e tij arriti.
Edhe trajneri i Tiranës, Bledi Shkëmbi, foli pas barazimit 2-2 që skuadra e tij rregjistroi në transfertë ndaj Vllaznisë.
Tashmë, Vllaznia ndeshjen e rradhës do ta luajë në transfertën e Korçës, pikërisht ndaj Skënderbeut.