Për herë të parë që nga ardhja në Shkodër trajneri i Vllaznisë Mirsad Jonuz ka folur pak më haptas rreth shumë çështjeve. Trajneri i kuqebluve e nisi me një mesazh urimi për lojtarët e tij pas fitores me Laçin dhe në prag të përballjes me Bylisin tekniku kërkon fitoren.
“Fillimisht dua të dërgoj një mesazh për lojtarët e mi të cilët dhanë maksimumin në ndeshjen ndaj Laçit. Ishte një fitore e mirë dhe tani pas kësaj ndeshje kemi disa probleme të vogla. Vetëm Gligorov ka një dëmtim dhe lojtarët e tjerë po punojnë normalisht.
Kam parë ekipin e Bylisit dhe bashkë me ekipin kemi bërë analizën për kundërshtarin. Bylis është një ekip i mirë dhe ka një trajner nga ish-Jugosllavia dhe luajnë me të njëjtin sistem. Besoj që lojtarët e mi do japin maksimumin për të marrë fitoren”.
Vetëm për një fitore si ajo me Laçin nuk duhet të ketë ekzaltim thotë trajneri i Vllaznisë por rëndësi ka ana psikologjike e lojtarëve.
“Është normale për mu që të mos ketë ekzaltim, një fitore nuk është asgjë. Çdo ndeshje është eksperiencë e re, presion i ri. Një ndeshje ishte ajo me Laçin dhe tani kemi Bylisin. Unë mund të kem ekzaltim vetëm për faktin se skuadra ka një psikologji të re dhe të gjithë po stërviten në mënyrë profesionale dhe mbarimin e ndeshjes ndaj Bylisit të marrim tre pikët”.
Jonuz i dha një përgjigje ish-trajnerit të Vllaznisë Armando Cungu pasi ky i fundit tha se goli i brazilianit Hygor ishte më shumë rastësor.
“Është opinioni e tij dhe nuk kam çfarë të them por kam një mesazh për të gjithë trajnerët që janë në Shkodër. Të vijnë dhe të mbështesin skuadrën sepse nesër ndoshta mund të jenë ata trajnerë tek Vllaznia. Dikush ikën dhe dikush vjen dhe këta janë trajnerë që jetojnë Shqipëri dhe kërkoj mbështetje dhe nuk ka rëndësi çfarë thotë një trajner, nuk është puna ime”.
Sa i përket objektivave trajneri i Vllazisë ende është i paqartë se çfarë kërkon ekipi i tij këtë sezon ndërsa thotë se për objektivat do të flasë pas 6 muajsh.
“E rëndësishme të mos humbim dhe në fillim të kampionatit rëndësi ka të marrim pikë në çdo ndeshje pastaj do flasim për objektiva. Pas ndeshjes me Tiranën kemi 15 ditë pushim. Po pres për lojtarët që të jenë në formën e tyre më të mirë. Tani rëndësi ka ndërtimi i skuadrës sepse kam lojtarë që kanë ardhur para 10 ditësh dhe të tjerët kanë 20 ditë që punojnë bashkë.
Sa i përket objektivave nëse do jetë mbijetesa, qëndrimi në mes të tabelës apo diçka tjetër do të flasim pas 6 muajsh. Unë s’jam magjistar por thjeshtë do të punoj. Për të ndërtuar një skuadër duhen dy vite dhe më pas mund të shkojmë në Europë. Pas 10 ndeshjesh do jap një opinion por jo tani dhe s’mund të tregoj përralla tani kur sapo ka nisur kampionati”.
Një përgjigje trajneri Jonuz i dha edhe lojtarit të tij Shtubina i cili u shpreh se ndaj Bylisit do jetë më e lehtë se në ndeshjen me Laçin ku Vllaznia fitoi 1-0.
“Shtubina ka folur normalisht, ai është lojtar por unë kam filozofinë time sepse jam unë trajneri. Ndoshta Shtubina nesër nuk luan dhe Vllaznia ka 24 lojtar. Kam tre portier dhe ndoshta luan një portier tjetër”.
Ish-drejtori, turku Engin Firat u shpreh se problemet politike vijojnë tek Vllaznia por për trajnerin Jonuz politika duhet të jetë jashtë sportit ndërsa një mesazh të fortë pritet ta japë pas ndeshjes me Bylisin dhe asaj me Tiranën.
“Për mua nuk është e rëndësishme politika dhe duhet që të jetë jashtë sportit. Unë kam nevojë për mbështetjen e të gjithëve në Shkodër, ish-lojtar, ish-trajnerë, biznesmen dhe tifozët. Pas ndeshjes me Tiranën do të flas për të gjitha problemet, për organizimin, për lojtarët por tani s’do të flas për asgjë dhe pas ndeshjes me Tiranën do të jap një mesazh për të gjithë në Shkodër por tani kam dy ndeshje shumë të rëndësishme”.
Filozofia e Mirsad Jonuz është që të gjithë duhet të dëgjojnë trajnerin ndërsa thotë se mentaliteti i tij nuk është ballkanik edhe pse vjen nga një shtet i Ballkanit.
“Më e rëndësishmja gjithmonë është që të ketë mbështetje, të ketë financa, pastaj e rëndësishme është të kemi edhe infrastrukturen. Ka apo jo infrastrukturë do e them pas ndeshjes me Tiranën. Shkolla e futbollit e ish jugosllavisë është e njohur në gjithë botën, nga ajo kanë marrë (vjedh) gjitha qëndrat botërore.
Pavarësisht se shkatërrimi i Ish Jugosllavisë ndikoi sërish ka shumë ekipe të mira atje. Unë gjithë jetën time kam luajtur dhe punuar në Ish Jugosllavi por edhe jashtë saj, si lojtar dhe trajner. Tek unë është ndryshuar filozofia, unë nuk kam filozofi ballkanike, kam një filozofi tjetër. Dmth në një ekip kryesori është trajneri dhe pikë. Që të zbatohet filozofia ime të gjithë duhet të dëgjojnë trajnerin dhe ky është fundi”.
Vllaznia do të luaj më 28 gusht ndaj Bylisit takimin e dytë të Superligës pas fitores që shkodranët morën 1-0 në javën e parë ndaj Laçit.