Akademia Vllaznia nuk ndodhet aspak në një moment të mirë.
Dy ekipet zinxhir të Vllaznisë U-17 dhe U-19 jo vetëm se kanë humbur në ndeshjet respektive ndaj Shkëndisë të Tiranës por edhe rrezikojnë ndjeshëm objektivat që kanë për të qenë në fazën Play Off. Vllaznia U-17 ka sigluar humbjen e tretë radhazi teksa humbi 1-0 në transfertë ndaj Shkëndisë. Më parë shkodranët 17-vjeçar humbën ndaj Internacionalit në Shkodër më pas u mundën në finale të Kupës së Shqipërisë përmes penalltive nga Tirana dhe tashmë vjen edhe kjo humbje sërish në kampionat ndaj Shkëndisë. Me këtë disfatë në kryeqytet Vllaznia U-17 është detyruar që të lëshojë vendin e parë që e mbante prej kohësh pas fitores që Tirana arriti ndaj Kukësit. Në këtë mënyrë Tirana kapërcen Vllazninë duke marrë kryesimin e kampionatit. Ndërsa 17 vjeçarët kanë zbritur në vendin e dytë, kërcënohen nga ekipi i Akademisë që mban vendin e tretë por me 30 pikë aq sa ka edhe Vllaznia. Për të mos mjaftuar ndeshjen e radhë 17-vjeçarët e kanë me ekipin e Tiranës nga ku kërkohet fitorja sepse një rezultat tjetër mund të jetë fatal përsa i përket objektivave për të kapur fazën Play Off që arrihet vetëm duke u renditur në vendin e parë ose të dytë. Edhe të rinjtë e U-19 janë mundur 1-0 nga Shkëndija e Tiranës. Me këtë humbje 19-vjeçarët kanë zbritur në vendin e tretë në renditje me 30 pikë teksa kampionati kryesohet nga Partizani me 35 pikë dhe Tirana 33. Në këtë mënyrë momentalisht Vllaznia U-19 është jashtë objektivave për zonën Play Off duke qenë se Partizani dhe Tirana janë në krye të klasifikimit.