Java e 22-të e kampionatit të grupmoshës U-19 ka dhuruar një tjetër fitore për ekipin kampion në fuqi të vendit. Vllaznia ka fituar mesditën e sotme me rezultatin 2-1 në Lezhë ndaj Portos.
Rezultati është zhbllokuar që në minutën e 28-të nga mesfushori Fikaj ndërkohë që tetë minuta më vonë ka qenë sulmuesi Palushani që ka dyfishuar shifrat. Pjesa e parë do të mbyllej me këto dy gola.
Në të dytën Porto do të ngushtonte shifrat falë një autogoli të Lekajt por vetëm kaq. Rezultati përfundimtar ka folur në favor të Vllaznia U-19 e cila me këtë fitore është ngjitur në kuotën e 53 pikëve.
Ajo e ka thelluar edhe më shumë distancën me ndjekëset e saj sepse Tirana ka barazuar 3-3 ndaj Shkëndisë ndërsa Partizani ka humbur me rezultatin 2-4 ndaj Akademisë së Futbollit.
Renditja pas kësaj jave është kjo: Vllaznia e para me 53 pikë, Shkëndia e dyta me 47 pikë dhe Partizani i treti me 45 pikë.
Tjetër fitore për Vllaznia U-17 dhe objektivi i saj për të kaluar në play off është gjithnjë e më pranë. Ajo ka fituar me rezultatin 2-0 në Tiranë ndaj Partizanit.Në minutën e 18-të ka qenë mesfushori Rigers Xhahysa ai që ka shënuar golin e parë duke zhbllokuar rezultatin dhe duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij.
Me këtë gol do të mbyllej pjesa e parë. Në të dytën ndërkohë, shkodranët jo vetëm që kanë ditur ta administrojnë avantazhin por edhe kanë shënuar një gol të dytë. Autor i tij ka qenë futbollisti Donaldo Marku në minutën e 55-të.
Pavarësisht përpjekjeve të futbollistëve të Partizanit, ata nuk kanë arritur të shënojnë dot në portën shkodrane. Përfundimisht 2-0 për Vllaznia U-17 e cila me këtë fitore është ngjitur në kuotën e 51 pikëve dhe mban sërish vendin e dytë në renditje.
Ndërkohë kanë fituar edhe dy skuadrat e tjera pretendente teksa Tirana kryesuese ka fituar 1-0 ndaj Shkëndisë ndërsa Kukësi i vendit të tretë ka fituar 3-0 ndaj AAS.
Ndonëse duhen edhe 5 javë deri në fund të fazës së tretë, tashmë është e qartë se pretendentet për të kaluar në play-off janë Tirana e Vllaznia.