Pas fitores në finalen e Kupës së Shqipërisë, Vllaznia U-19 e ka mundur sërish ekipin e Shkëndisë së Tiranës. Këtë herë për kampionat, në ndeshjen e luajtur pasditen e së dielës në Kamëz. Ka qenë një takim shumë përcaktues për fatet e skuadrave që do të vazhdojnë më tej garën në play-off dhe Vllaznia me fitoren 2-0, ka hedhur një hap të rëndësishëm për arritjen e këtij objektivi.
Pjesa e parë është fituar me meritë nga kuqeblutë e trajnerit Luan Zmijani me rezultatin 1-0. Ka qenë pikërisht minuta e fundit e kësaj pjese, momenti kur mesfushori Alfons Kulla ka shënuar golin shumë përcaktues.
Në pjesën e dytë ndërkohë ka qenë sulmuesi Ildi Gruda ai që ka shënuar golin e dytë dhe të sigurisë së fitores. Vllaznia U-19 në këtë mënyrë me këtë fitore është ngjitur në kuotën e 37 pikëve, ndërkohë që Partizani është në vend të parë me një pikë më shumë.
Shkëndia sakaq është në vendin e tretë tashmë pas kësaj humbje dhe duket disi më larg në garën për titullin kampion.
Ndërkohë edhe skuadra e Vllaznisë U-17 ka zhvilluar takimin e rradhës po këtë të dielë ku pas shumë e shumë javësh kryesim të kampionatit, është detyruar t’ia lëshojë vendin e parë Tiranës. Ka ndodhur kështu pas barazimit të saj në ndeshjen e luajtur ndaj Shkëndisë, në fund të së cilës është fiksuar rezultati i barabartë 1-1.
Bardheblutë ndërkohë kanë fituar 2-0 në Shkodër ndaj AAS dhe tashmë ata me 39 pikë janë në vend të parë duke lënë kuqeblutë në të dytin me një pikë më pak.
Duhet thënë se pjesa e parë ka qenë e dominuar nga futbollistët kuqeblu të cilët kanë shënuar edhe të parët me anë të mesfushorit Olsi Mali që në minutën e 10-të. Por kur pritej që ky gol t’i jepte qetësinë e duhur shkodranëve për administrimin e ndeshjes, në minutën e 26-të ka ardhur goli i barazimit për vendasit.
Autor i tij do të ishte Arsildo Gjeta. Pas këtij goli, pavarësisht përpjekjeve të dy ekipeve nuk do të kishte gola të tjerë dhe për pasojë, pjesa e parë do të mbyllej në barazim 1-1. Në pjesën e dytë pavarësisht përpjekjeve për të shënuar golin e fitores, futbollistët e Vllaznisë nuk ia kanë dalë dhe për rrjedhojë i gjithë takimi është mbyllur në barazim.
Një rezultat që i kushton kuqebluve lëshimin e vendit të parë në renditje.