Janë luajtur katër ndeshje deri më tani, por Vllaznia U-21 nuk e njeh ende shijen e fitores. Edhe në ndeshjen e rradhës, atë ndaj Erzenit U-21, futbollistët kuqeblu të drejtuar nga trajneri Ergi Borshi nuk kanë marrë më shumë sesa një barazim 1-1. Vllaznia U-21 ka kaluar e para në avantazh në këtë ndeshje, me anë të 16-vjeçarit Xhesild Kapllanaj që në minutën e 9-të, por pak më vonë do të ishte Zeneli ai që do të barazonte shifrat dhe pjesa e parë do të mbyllej me rezultatin e barabartë 1-1. Në këtë ndeshje nuk munguan as kartonat e kuq, nga një për secilën skuadër, ku për Vllaznia U-21 u ndëshkua mbrojtësi Xhuljan Kapllanaj në minutën e 71-të, ndërsa më parë u ndëshkua Madrid në fillimin e pjesës së dytë.

Në pjesën e dytë nuk kanë munguar rastet, madje shkodranët goditën dy herë shtyllën e portës shijakase, por pa rezultat, sepse gjithçka u mbyll në shifrat e barabarta 1-1. Pas ndeshjes, trajneri i Vllaznia U-21, Ergi Borshi, u shfaq i shqetësuar nga mungesa e futbollistëve.

Ndërkohë, shefi i klubit të Erzenit, Ervis Xhafa, që në këtë ndeshje drejtoi ekipin e U-21, tha se skuadra e tij edhe mund ta fitonte këtë takim.

Ky është barazimi i tretë për Vllaznia U-21, teksa kanë edhe një humbje në Fier ndaj Apolonisë. Në këtë mënyrë, situata e ekipit shkodran nuk është ajo e duhura dhe mbi të gjitha kjo ka ardhur si rrjedhojë e mungesave të shumta që ka patur në këto ndeshje.

Artikulli paraprakTENTATIVA E GRABITJES NË LEZHË, 8 TË SHOQËRUAR
Artikulli tjetërTONIGHT – 17.10.2023