Vllaznia U-21 ka shpërdoruar një mundësi shumë të artë për të mposhtur Bylisin dhe për t’i shkaktuar atyre humbjen e parë në kampionat. Kuqeblutë e Ergi Borshit kanë qenë në udhëheqje të rezultatit në shifrat 3-1 deri në minutën e 75-të, por në fund gjithçka është mbyllur në barazim 3-3. Takimi nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për ekipin shkodran, i cili kaloi në avantazh në minutën e 7-të me anë të mbrojtësit brazilian, Andrey Yago. Megjithatë, gjashtë minuta më vonë, ekipi i Bylisit do të barazonte shifrat. Pjesa e parë do të mbyllej me rezultatin 1-1.
Ndërkohë, e dyta do të dhuronte plot katër gola. Ishte Vllaznia U-21 që bëri gjithçka mirë në fillim, duke shënuar dy herë në 15-minutat e para, fillimisht me anë të Antonio Delajt dhe më pas me Alfred Ajdareviç. Me këto dy gola u duk se ndeshja do të mbyllej këtu, por Bylisi fillimisht ngushtoi shifrat dhe më pas barazoi, duke bërë që gjithçka të mbyllej në shifrat e barabarta 3-3. Pas ndeshjes, trajneri i Vllaznisë U-21, Ergi Borshi, foli me keqardhje që ekipi i tij shpërdoroi aq shumë, pasi kishin mundësi ta mbyllnin takimin me rezultat më të thellë, por ndodhi e kundërta, duke u ndëshkuar në limitet e krejt ndeshjes. Pas javës së 16-të të kampionatit, Vllaznia renditet e pesta me 26-pikë.