Ekipi i Vllaznisë po e shfrytëzon në mënyrën e duhur ndërprerjen e kampionatit për shkak të ndeshjeve të ekipit kombëtar. Gjatë këtyre ditëve stafi teknik ka aplikuar një program të ngjeshur stërvitor, shoqëruar me nga dy seanca në ditë. Por nga ana tjetër, trajneri Jonuz ka menduar që në fund të javës të ketë edhe një ndeshje miqësore për ekipin. Për këtë arsye, është rënë dakord që të luhet ndaj Veleçikut pasditen e së shtunës më 7 shtator.

Ndeshja do të luhet në orën 17.00 në fushën e kompleksit sportiv “Zmijani”. Natyrisht që kjo miqësore do t’i shërbejë si duhet stafit teknik për të parë edhe më mirë ekipin në prag të sfidës së rradhës, asaj që do të zhvillojë me Teutën në transfertë pas kësaj ndërprerje të kampionatit. Vllaznia vjen në këtë përballje miqësore pas humbjes që pësuan me Tiranën në stadiumin “Loro Boriçi” në shifrat 0-2.

Kuqeblutë e nisën mirë kampionatin duke fituar me Laçin në javën e parë dhe duke barazuar me Bylisin në transfertë por në kryendeshjen e javës së tretë, klasiken e futbollit shqiptar Vllaznia u mund nga Tirana brenda në Shkodër. Tashmë skuadra do të tentojë që ta kalojë këtë moment të vështirë ndërsa do të ketë fillimisht këtë takim miqësor me

Veleçikun që shërben si një parapërgatitje për sfidën në transfertë me Teutën. Kjo ndërprerje e kampionatit i shërben skuadrës shkodrane edhe përsa i përket rekuperimit të disa lojtarëve dhe marrjes së formës fizike të disa futbollistëve të tjerë.

Artikulli paraprakSHKODËR, PROJEKTI “MBROJTJA E GRYKËDERDHJES SË BUNËS”
Artikulli tjetër“NUK SHQIPTOJ MIRË DISA SHKRONJA”, DËSHMIA E AGRON XHAFAJT: NUK ËSHTË ZËRI IM NË AUDIOPËRGJIM