Florind Bardulla është futbollisti i dytë nga shkodranët që firmos kontratën me Vllazninë për vazhdimësinë.
I pari që hodhi firmën ishte Ndriçim Shtubina dhe tashmë shtohet edhe Bardulla. Mesfushori shkodran në praninë e administratorit Astrit Gjyrezi ka firmos për të vijuar për të qenë pjesë e klubit kuqeblu. Bardulla pavarësisht disa dëmtimeve gjatë sezonit të kaluar bëri një paraqitje pozitive duke qenë një prej futbollistëve kryesor të formacionit bazë. Në këtë mënyrë, futet në listën e të preferuarve edhe për sezonin e ardhshëm dhe tashmë është arritur marrëveshja me të. Ka qenë një bisedë jo shumë e gjatë mes palëve ku administrator Gjyrezi dhe mesfushori Bardulla kanë gjetur menjëherë akordin mes tyre duke vijuar bashkëpunimin. Tashmë në ditët në vijim ashtu si Shtubina dhe Bardulla, kësaj liste pritet që t’i shtohen edhe futbollistë të tjerë. Gjatë së premtes në bashkinë Shkodër ka patur një tjetër takim për një sërë çështjesh të ndryshmeqë lidhen qoftë me merkaton por edhe me organizimin për sezonin e ardhshëm. Nga sa mësohet, burime pranë këtij takimi të zhvilluar bëjnë me dije se drejtuesit e Vllaznisë vijojnë kontaktet me një sërë futbollistësh vendas dhe të huaj. Deri tani bisedat janë në një rrugë të mbarë por ende asgjë nuk ka zyrtare apo konkrete. Burime pranë Vllaznisë bëjnë me dije se ende nuk kanë firmosur as mbrojtësit Vrapi dhe Cicmil. Gjatë kontakteve me ta, drejtuesit e klubit kuqeblu janë pranë gjetjes së gjuhës së përbashkët por ende dy mbrojtësit nuk janë bindur për të zyrtarizuar qëndrimin tek Vllaznia edhe për sezonin e ardhshëm.