Aleksandër Isaevski një futbollist nga Maqedonia e Veriut është goditja e dytë që bën Vllaznia në merkato pas ardhjes së Ardit Hoxhës nga radhët e Flamurtarit. Lojtari maqedonas ka mbërritur që mbrëmë në Shkodër dhe tashmë ka nisur edhe seancat stërvitore me kuqeblutë dhe pritet që të hedhë edhe zyrtarisht firmën për të qenë lojtar i Vllaznisë sezonin e ardhshëm.
Janë të paqartë cilësitë e këtij lojtari por drejtuesit e kuqebluve besojnë se do të jenë një futbollist që do t’i vlejë Vllaznisë sezonin e ardhshëm. 25 vjeçari Isaevski ka luajtur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është aktivizuar me ekipin e Dunav në Bullgari, një skuadër kjo që është pjesë e ligës së tretë bullgare dhe në sezonin e fundit ka qenë pjesë e një ekipi në Azerbajxhan.
Ndërkohë me kuqeblutë mund të firmosë edhe futbollisti Eni Imami që ka qenë pjesë e Skenderbeut. Me lojtarin vazhdojnë bisedimet ndërsa nuk ka ende diçka konkrete. Largimi i dy portierëve Sherri dhe Efremov ka bërë që porta e Vllaznisë të jetë bosh pasi janë vetëm dy të rinjtë Qarri dhe Shkoza. Në këtë mënyrë sipas burimeve Vllaznia është në kontakte me një portier nga Mali i Zi dhe një tjetër nga Maqedonia e Veriut me të cilët po tentohet të gjehet një marrëveshje e përbashkët.
Nga lojtarët e mëparshëm ai që ka hedhur firmën është mesfushori Ardit Krymi ndërsa është ende e paqartë se çfarë do të ndodh me futbollistët e tjerë shkodran pasi një pjesë janë larguar ndërsa edhe të tjerë mund të firmosin për ekipe të tjera.
Gjithsesi drejtuesit e Vllaznisë po tentojnë të gjejnë futbollistë për kuqeblutë duke qenë se pretendimet janë për Kupat e Europës edhe pse deri tani ky objektiv duket i largët ndonëse ka ende kohë deri në ndërtimin e ekipit të ri për sezonin e ardhshëm.