Pas fitoreve ndaj Skënderbeut dhe Studentit, ka ardhur humbja e parë për ekipin e volejbollit të meshkujve të Vllaznisë. Mbrëmjen e së premtes, shkodranët janë mposhtur me rezultatin 3-1 nga Erzeni, në ndeshjen e luajtur në pallatin e sportit “Dhimtraq Goga” në Shijak. Shijakasit fituan setin e parë me rezultatin 25-16, por në të dytin Vllaznia reagoi. Ajo luajti më mirë dhe në fund do të fitonte 25-23, duke e barazuar numrin e seteve në 1-1. Kjo krijoi idenë se ndeshja do të rihapej, por në fakt nuk ndodhi një gjë e tillë. Në setin e tretë është Erzeni që dominon, duke fituar pa shumë vështirësi 25-15 dhe poashtu, edhe në të katërtin që mbyllet 25-17 dhe në këtë mënyrë krejt ndeshjen 3-1. Skuadra e Erzenit kryeson renditjen pas javës së tretë të kampionatit, me 9-pikë të plota, ndërsa Vllaznia ndodhet në vendin e katërt me 6-pikë. Javën e ardhshme, kuqeblutë do të presin në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ekipin e Partizanit që poashtu si Erzeni ka marrë tre fitore në tre javët e para. Ndërkohë, nga ana tjetër, edhe për ekipin e volejbollit të femrave të Vllaznisë, ka ardhur humbja e rradhës pas fitores javën e kaluar ndaj Barletit. Pasdrekën e së shtunës, shkodranet janë mposhtur me rezultatin 3-1 nga Pogradeci, në ndeshjen e luajtur në pallatin e sportit “Tamara Nikolla” në Korçë. Shkodranet e nisën mirë, duke fituar mes rivalitetit setin e parë me rezultatin 26-28, por në tre të tjerët Pogradeci reagoi. Ato luajtën më mirë dhe dominuan pjesën e mbetur të ndeshjes, duke i fituar të tre setet me rezultatet 25-15, 25-18 dhe 25-16. Në këtë mënyrë, Pogradeci fiton edhe krejt ndeshjen me rezultatin 3-1. Skuadra pogradecare mori trepikëshin e parë pas javës së tretë të kampionatit, ndërsa edhe Vllaznia ka mbetur në kuotën e tre të tillave në vendin e katërt. Javën e ardhshme, vajzat kuqeblu do të presin në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ekipin e Partizanit, që ka marrë tre fitore në tre javët e para.