Prej disa ditësh përflitet për rreth 4 futbollistë që pritet të vijnë tek Vllaznia.
Një prej tyre, Çetkoviç ish-futbollisti i Laçit mendohet se praktikisht ka gjetur akordin me klubin shkodran dhe sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e Vllaznisë. Ndërsa Çetkoviç është pranë firmosjes së një kontrate me klubin kuqeblu tashmë mësohen edhe tre emrat e tjerë për të cilët drejtuesit e Vllaznisë por edhe vetë trajneri Armando Cungu i ka bërë të ditur por pa dhënë emrat e tyre. Burime konfidenciale për “Star Plus” bëjnë me dije se bëhet fjalë për një rikthim të 3 futbollistëve shkodran që aktualisht luajnë në ekipe të ndryshme por që më parë kanë veshur bluzën e Vllaznisë. I pari është mesfushori Gilman Lika që e mbylli sezonin e kaluar me Tiranën. Me lojtarin në fjalë kanë nisur bisedimet dhe me shumë gjasa nëse palët bien dakord atëherë Lika mund të rikthehet për të kontribuar në qytetin e tij. Një tjetër emër që mund të bashkohet me ekipin e Armando Cungut është edhe mesfushori tjetër shkodran Olsi Gocaj që luan mjaft mirë edhe në mbrojtje edhe ky ashtu si Çetkoviç mbylli sezonin me Laçin. Edhe me të drejtuesit po bisedojnë dhe pritet që edhe Gocaj të vishet kuqeblu. Nuk mbaron me kaq sepse emri i katërt dhe i fundit që lakohet është ai i Erjon Vucaj. Një tjetër mesfushor cilësor i kampionatit shqiptar i cili disa herë ka patur oferta nga Vllaznia por asnjëherë nuk pranoi për shkak të hatërmbetjeve të vjetra për mënyrën e largimit dhe mos vlerësimin e tij në një moshë të re. Gjithsesi Vucaj ka lënë pas historinë e trishtë të tij dhe është një prej mundësive për të ardhur tek Vllaznia. Ende asgjë nuk ka zyrtare por nëse arrihen marrëveshjet me Çetkoviç, Gocaj, Vucaj dhe Lika atëherë Vllaznia e sezonit të ardhshëm mund të ndërrojë fytyrën duke mos qenë më një ekip që lufton vetëm për mbijetesë.