Sulmuesi i Vllaznisë Silvio Zhunjor u cilësua si njeriu i ndeshjes në takimin Vllaznia-Luftëtari që u fitua 4-0 nga shkodranët.
Braziliani shënoi dy gola por ishte edhe protagonist tek autogoli i Kukaj në këtë përballje me gjirokastritët. Zhunjor thotë se këto tri pikë janë shumë të rëndësishme për Vllazninë ndërsa është i kënaqur edhe me shënimin e golave.
“Po është mirë për mua dhe mirë për skuadrën, rezultat i mirë për Vllazninë. Do të vazhdojmë që të punojmë shumë dhe shpresojmë që të realizojmë edhe fitore të tjera në vazhdimësi. Këto tri pikë janë shumë të rëndësishme për ne.
Kishim një kundërshtar jo edhe aq të lehtë pavarësisht renditjes. Është mirë për ne kjo fitore, mirë për mua që shënova, për klubin, tifozët dhe për të gjithë. Jam i lumtur që shkoi kështu në fakt”.
Fitorja ndaj Luftëtarit për Vllazninë nuk ishte aq e lehtë sepse gjirokastritët vendosën disa herë në vështirësi kuqeblutë, gjë të cilën e pranon edhe sulmuesi Zhunjor. “Po të gjithë mund të shohin rezultatin por në realitet ishte ndryshe, jo aq e lehtë. Në fushë ishte ndryshe sepse kishim një kundërshtar që luajti mirë dhe na vendosi në vështirësi por ishte dita jonë dhe morëm një fitore që na kënaq të gjithëve”.
Ndeshja me Skenderbeun është një tjetër përballje e rëndësishme për Vllazninë. Sulmuesi Zhunjor thotë se skuadra duhet të jetë me këmbë në tokë dhe të gjithë duhet të punojnë fort që kuqeblutë të dalin me tri pikë edhe nga kjo përballje.
“Po është një tjetër kundërshtar i fortë. Do ta shohim si do të shkoj por ne do të stërvitemi shumë, do të jemi të përqëndruar për të arritur një tjetër fitore. Tri pikët me Luftëtarin nuk do të thotë asgjë për ne dhe duhet që t’i marrim të gjitha ndeshjet hap pas hapi dhe të jemi me këmbë në tokë dhe të luajmë thjeshtë dhe mirë për të arritur që të shënojmë gola të tjerë dhe për të siguruar pikët maksimale edhe ndaj Skenderbeut.
Jam i kënaqur me fitoren ndaj Luftëtarit por tashmë i përket të kaluarës dhe duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës. Në mendjen tonë është Skenderbeu dhe ajo që kërkojmë është të punojmë fort dhe të vijmë në këtë stadium për të fituar përsëri”.
Vllaznia erdhi pas një momenti jo shumë të mirë duke siguruar fitoren 4-0 ndaj Luftëtarit dhe tashmë ajo që kërkohet janë tri pikët edhe në sfidën direkte me Skenderbeun për t’u larguar sa më shumë nga zona fundit te renditjes.