Luftëtari mposht Vllazninë brenda në Shkodër me rezultatin 0-2. Ndeshja ishte shumë e rëndësishme për të dy skuadrat, pasi shkodranët kishin nevojë për pikët e mbijetesës, ndërsa gjirokastritët për pikët e Evropës. Fitoren e rrëmbeu ekipi më i mirë, pasi Luftëtari tregoi se është shumë më lart se Vllaznia. Djemve të Gjokës i ka mbetur të shohin nga Zoti, pasi i nevojitet një penallti për të fituar.

Pjesa e parë – Takimi nisi me ngadalësi, pasi të dy ekipet nuk rrezikuan shumë në minutat e para. Të dy skuadrat e nisën duke studiuar njëra-tjetrën dhe nisën të rrezikonin me kalimin e minutave. Shkodranët ishin më këmbëngulës me topin nën zotërim. Vendasit kishin më shumë iniciativë të ndërtonin, ndërsa miqtë shihnin më shumë të dilnin me anë të kundërsulmeve.

Rast shumë të mirë kishte Lika, i cili goditi dhe traversën, pas një aksioni të mirë me Vucajn. Në krahun tjetër, portieri Alen Sherri ishte thuajse turist, pasi nuk kishte asnjë rast të rrezikshëm. Luftëtari nuk e shfrytëzoi si duhet kundërsulmin, pavarësisht se kapi disa herë në epërsi numerike vendasit.

Pjesa e dytë – Miqtë e nisin mjaft mirë pjesën e dytë, pasi arrijnë të kalojnë shpejt në avantazh. Gjirokastritët gjejnë golin e avantazhit në minutën e 52-të. Abazaj shpërthen në krahun e majtë, kalon mbrojtjen, futet në zonë dhe gjuan fort duke mposhtur portierin Sherrin. Topi ndalet vetëm nga rrjeta. Shkodranët u munduan që të barazojnë shifrat, por nuk ja dolën mbanë deri në fund.

5 minuta para fundit, Luftëtari jep leksion futbolli me Bregun dhe Rrocën. Shtatshkurtri pason për numrin 10-të, ky i fundit i kthen reston dhe e nxjerr përballë portierit Sherri. Vlonjati nuk gabon dhe ndëshkon për herë të dytë shkodranët. Tifozerisë shkodrane nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të duartrokasë. Takimi mbyllet 0-2, Vllaznia zhytet fort në “humnerë”, ndërsa Luftëtari kalon Partizanin në vendin e 3-të, me dy pikë diferencë.

Artikulli paraprak“LOJRAT POPULLORE FEST” NË SHKODËR
Artikulli tjetërTRAJNERI GJOKA MERR PERGJEGJESITE PER HUMBJEN: DO FLAS ME DREJTUESIT