Në stërvitjen e sotme të Vllaznisë ka ndodhur një surprizë.

Grupimi “Vllaznit Ultras”, në formë proteste ka qenë i pranishëm në fushën “Reshit Rusi” dhe ka kërkuar të ballafaqohet me drejtuesit e klubit. Mirëpo asnjë nga këta të fundit nuk ndodhej aty për të ndjekur stërvitjen e skuadrës. Teksa ekipi po kryente normalisht përgatitjet, trajnerit Armando Cungu i ka bërë përshtypje një grupim prej 12 tifozësh. Këta të fundit, në mungesë të drejtuesve, kanë pasur një takim prej pesë minutash me ekipin.

Stafi teknik dhe lojtarët i kanë mirëkuptuar tifozët dhe kanë ndërprerë stërvitjen për t’i dëgjuar. “I dimë problemet që keni, por kërkojmë nga ju të luani për fanellën deri në fund të sezonit. Duam që klubi të privatizohet, por ky nuk është faji juaj. Do t’ju mbështesim deri në fund, por shpresojmë që ju të jepni maksimumin, pasi kështu nuk mund të vazhdohet. Do të protestojmë në vazhdimësi për këtë situatë ku ndodhet ekipi”, janë shprehur tifozët para skuadrës, e më pas janë larguar të qetë e pa incidente.

Artikulli paraprakOPOZITA VENDOS: TË GJITHË NË SHESH
Artikulli tjetërBASKETBOLL, VLLAZNIA TJETËR FITORE NE KAMPIONAT