Një konflikt në familje është parandaluar nga policia e Vlorës, ndërsa në pranga është vënë shtetasi Krenar Likskëndaj, 36 vjeç i cili kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, 28 vjeçares L.L. Policia thotë gjithashtu se 36-vjeçari po kanoste me thikë vjehrrin dhe kunatin e tij të cilët ndodheshin në banesë.
“Shërbimet e Policisë të Komisariatit Vlorë ditën e sotme pasi kanë marrë sinjalizim nga Salla Operative se në lagjen ”10 Korriku”, në një banesë po konfliktoheshin me njëri-tjetrin disa familjarë, menjëherë kanë organizuar punën e kanë shkuar pranë vendit në fjalë.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm forcat e Policisë kanë parandaluar një konflikt familjar i cili mund të përshkallëzohej deri në pasoja të rënda për jetën”, sqaron policia. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale thikën e autorit.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorise së Rrethit Gjyqësor Vlorë ndaj tij për veprat penale ”Dhunë në familje”, ”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe ”Kanosja”, të parashikuara nga neni 130/a, 279 dhe 84 të Kodit Penal.