Partitë kryesore politike kanë nisur formalisht sot fushatën për zgjedhjet vendore sipas afatit të Kodit Zgjedhor, edhe pse praktikisht veprimtaritë e tyre kanë nisur kohë më parë. Partia Demokratike e opozitës deklaroi sot se këto janë zgjedhje në kushte të komplikuara për gjithë kalvarin që PD ka kaluar vitin e kaluar. Drejtuesi i deleguar i PD-së, Enkelejd Alibeaj, theksoi para gazetarëve se thelbi i sfidësës së PD-së aktualisht është që ajo të mbetet një forcë demokratike perëndimore mbi parimet e shtetit të së drejtës.

“Partia Demokratike po punon për riprofilizimin e së djathtës në Shqipëri, e orientuar drejt euro-atlantizmit dhe demokracisë. Pjesë e kësaj rruge janë edhe zgjedhjet vendore”, tha zoti Alibeaj.
Ai tha se opozita e pakapur pësoi një agresion nga Partia Socialiste, nga kryeministri Edi Rama, ish kryeministri Sali Berisha dhe ish presidenti Ilir Meta, duke e zvarritur në procese gjyqësore dhe procedura regjistrimesh, dhe me seli të bllokuar.
“Integriteti, koherenca, idealizmi, kontributi historik, mosbërja kompromis janë vlerat dhe baza, me të cilën do të ecim gjatë kësaj fushate në shërbim të Tiranës tani por edhe në të ardhmen”, tha zoti Alibeaj. Ndërsa fushata e Partisë Socialiste ka lajtmotivin “Vetëm përpara, kurrë mbrapa”. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi gjatë një fjalimi të fushatës në Lezhë, se duhet ecur vetëm përpara dhe se zgjidhja e problemeve është përpara, nuk e kemi mbrapa”.
Ai tha se opozita nuk mund të tregojë asnjë shembull suksesi gjatë qeverisjen vendore prej saj, ndërsa bashkiakët socialistë kanë kryer transformime të thella në qytetet ku drejtojnë.

“S’ka magji. Ka vetëm punë të palodhur për të mbushur një pafundësi gropash të trashëguara nga e shkuara dhe për të ecur përpara, Ky është qartë mesazhi i ndryshimit në jetën e të përditshme të qytetarëve dhe të qytetit”, theksoi zoti Rama.
Ai përmendi ish kryeministrin Berisha dhe ish presidentin Meta si politikanë të së shkuarës, që kanë halle personale pas izolimit dhe synojnë të kapin ndonjë bashki për të mbijetuar në politikë.

“I pari i tyre është i izoluar dhe vjen vërdallë me një vulë në lule të ballit si person “Non gratta” dhe ju premton shqiptarëve çudira, që nuk i bëri kur s’kishte as damkën. Bashkë me atë tjetrin, dy hije të së shkuarës, dy hije që janë turp për Shqipërinë, që i ka akoma nëpër këmbë”, tha zoti Rama.
Koalicioni “Bashkë fitojmë” zhvillon nesër një tubim për hapjen e fushatës zgjedhore. Drejtuesit e tij, ish presidenti Meta dhe ish kryeministri Berisha u kthejnë akuzat Partisë Socialiste për qeverisje të korruptuar dhe të kapur në çdo nivel nga rryshfeti dhe klientelizmi.
Institucione vendase dhe ndërkombëtare kanë bërë thirrje për një garë zgjedhore të rregullt dhe mundësi zgjedhje të lira për qytetarët.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u ka bërë thirrje forcave politike që të mos denigrojnë njëra tjetrën, por të angazhohen me ide për përmirësimin e jetesës së qytetarëve.

“Fenomenet e shit-blerjes së votës, keqpërdorimit të burimeve financiare, financimet e paligjshme dhe jo transparente të partive politike, prishja apo manipulimi i procesit zgjedhor janë të patolerueshme”, theksoi presidenti Begaj në një mesazh të tij. Zyra ODIHR e OSBE-së ka përfshirë në monitorimin e zgjedhjeve vendore të Shqipërisë më 14 maj mbi 300 vëzhgues afatshkurtër, ndërsa aktualisht kanë ardhur 13 ekspertë dhe 24 vëzhgues afatgjatë

Artikulli paraprakBESIMTARËT ORTODOKSE KREMTOJNË TË PREMTEN E ZEZË
Artikulli tjetërRRITEN 18% APLIKIMET PËR SUBVENCIONET DIREKTE NË BUJQËSI