Vokrri: Pa stadium, mund të përjashtohemi nga UEFA e FIFA

Mungesa e një stadiumi me standardet e UEFA-s dhe FIFA-s mund ta penalizojë Federatën e Futbollit të Kosovës, duke ia rikthyer edhe një herë në tavolinë çështjen nëse duhet apo jo që Kosova të jetë anëtare e dy organizatave më të rëndësishme të futbollit europian dhe botëror. “Këto organizma ta japin mundësinë të zhvillosh për një vit, 4 apo 5 ndeshje jashtë territorit të Kosovës. Gjithashtu të sigurosh edhe një stadium që i përmbush kriteret. Por nëse ne vazhdojmë kështu në deri në pafundësi, atëherë mund të shtohet edhe çështja e rishikimit të pranimit tonë”, ka thënë Vokrri për “KALLXO.com”. Anëtarësimi i FFK-së në UEFA e FIFA në maj të këtij viti konsiderohet si një ndër arritjet kryesore të Kosovës gjatë 2016-s. Anëtarësimi i mundësoi ekipit përfaqësues të Kosovës në futboll të marrë pjesë në kualifikueset për Botërorin e vitit 2018, që do të zhvillohet në Rusi. Por, në mungesë të një stadiumi që i përmbush kriteret, Kosova është detyruar që ndeshjet vendase t’i luajë në një tjetër shtet, në Shqipëri. Vokrri thotë se deklarata e tij nuk është presion, por është një e vërtetë që mund të ndodhë dhe që, siç shprehet ai, do të ishte normale. “Nëse vazhdohet kështu, unë nuk shoh tjetër epilog. Nuk është se dua të bëj presion, por kjo është e vërteta. Edhe është normale e logjike. Unë, si i pari i interesuar për këtë çështje, mendoj që kjo është logjike dhe normale nëse të përjashtojnë, sepse nuk i ke kushtet”, tha kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës. Ai ka bërë gjithashtu apel, që të gjendet sa më parë një mënyrë për ndërtimin e një stadiumi. “Unë bëj apel që të gjendet sa më parë mënyra për ndërtimin e një stadiumi, sepse një shtet pa stadium nuk është shtet”, u shpreh Vokrri. Ndërtimi i një stadiumi kombëtar në Kosovë ka vite që është premtuar. Vendimi për nisjen e ndërtimit të stadiumit dhe shpalljen e një konkursi ndërkombëtar është marrë në mars të 2014-s, në kohën kur kryeministër ishte Hashim Thaçi, tashmë president i vendit. Por këto procedura kishin ngelur thjesht në letër. Në anën tjetër, në qershor të këtij viti, Ministria e Sportit së bashku me komunën e Prishtinës kishin nënshkruar një kontratë prej 3.8 milionë eurosh për rinovimin e stadiumit të Prishtinës. Mirëpo edhe projekti i rinovimit të tij ishte refuzuar nga zyrtarët e UEFA-s. Edhe gjatë vizitës që bënë zyrtarët e UEFA-s në Prishtinë gjatë muajit shtator, kërkuan që rinovimit të stadiumit t’i shtohet edhe plotësimi i disa kritereve të tjera.

Artikulli paraprakSHPËRTHIM MË BOMBË ARTIZANALE NË STAMBOLL
Artikulli tjetërALARM PËR BOMBË NË FLUTURIMIN NDËRKOMBËTAR, AEROPLANI BËN ULJE TË DETYRUAR