Skuadra e Vllaznisë në volejboll për meshkuj shumë shpejt mund të ketë një ndryshim tejet të rëndësishëm.

Në ekipin kuqeblu pritet që të ketë largime të volejbollistëve. Një gjë të tillë e pranoi edhe vetë trajneri i ri i meshkujve të volejbollit Mark Kroqi që mban edhe postin e drejtorit të “Sport Klub Vllaznia”. Burime jo zyrtare pranë skuadrës shkodrane bëjnë me dije se ai që është piketuar për t’u larguar është i riu Anton Qafarena. Shkodrani me një moshë të re por me një të ardhme të sigurtë është vënë në planet e një ekipi në kategorinë e parë në Qipro. Ende s’ka asgjë zyrtare por skuadra qipriote mësohet se është interesuar për Qafarenën dhe se mund të bëhet e mundur lëvizja e tij nga Vllaznia në kampionatin e Qipros. Natyrisht që kuqeblutë nuk do të bëhen pengesë nëse ekipi qipriot vendosë ta marrë Qafarenën. Ky i fundit ka bërë paraqitje pozitive gjatë aktivizimeve me Vllazninë duke rënë në sy me lojën e tij të mirë. Anton Qafarena është kërkuar edhe nga ekipe të tjera shqiptare por nuk ka pranuar duke preferuar dhe tentuar vetëm tregun e huaj. Tashmë është një mundësi e mirë për të dhe vetë lojtari është në pritje se si do të shkojnë gjërat gjatë kësaj merkatoje. Nga sa bëhet e ditur Qafarena nëse largohet do të prishte shumë punë tek Vllaznia për sezonin e ri sepse është një prej shtyllave të ekipit tashmë. Megjithatë trajneri Kroqi edhe në postin e drejtorit të shumësportëshit pritet që të sjellë në skuadër volejbollistë të tjerë. Aktualisht po shikohen mundësitë në tregun vendas tek ekipet shqiptare duke qenë se lojtarët e huaj janë të papërballueshëm ekonomikisht për Vllazninë. Afrimi i ndonjë volejbollisti tjetër do të bënte që të zvëndësohej largimi i Anton Qaferenës nëse bëhet e mundur.

Artikulli paraprak“BUSHAT, 25 KURBANË PËR BANORËT NË NEVOJË”
Artikulli tjetërKURBAN BAJRAMI, FESTIMET NË DISA VENDE TË BOTËS