Vllaznia e volejbollit të femrave ka pësuar një tjetër humbje në kampionat, këtë herë ndaj Partizanit pretendent me shifrat 0-3. Edhe pse, vajzat kuqeblu u munduan të bëjnë më të mirën, ato e kanë patur shumë të vështirë ndaj Partizanit, që është një ekip i kompletuar në organikën e tij, ku në gjirin e saj bëjnë pjesë edhe katër volejbolliste shkodrane, pikërisht Klavia Petëza, Xhesika Kaçi, Stela Kiri dhe Danjela Kodra. Sa i takon ndeshjes, në setin e parë, Partizani dominoi në të gjitha drejtimet dhe e fitoi atë lehtësisht në shifrat 25-15. Edhe në setin e dytë, ekipi mik fiton me rezultatin 25-19. Në setin e tretë dhe të fundit, rivaliteti shtohet, por sërish është skuadra e kuqe që arrin të triumfojë me shifrat 25-21 dhe në këtë mënyrë, krejt ndeshjen me rezultatin e pastër 3-0. Pas ndeshjes, trajnerja e Vllaznisë, duke folur për këtë humbje ndaj Partizanit, zbuloi se ekipit kuqeblu në ditët në vijim do t’i bashkohet edhe një volejbolliste e huaj.
Nga ana tjetër, trajneri i Partizanit, Hasan Gurabardhi tha se pavarësisht fitores, Vllaznia e vendosi në vështirësi ekipin e tij.
Pas javës së katërt të kampionatit, Partizani kryeson renditjen me pikë të barabarta me Skënderbeun, ndërsa Vllaznia ka arritur të grumbullojë vetëm tre pikë dhe ka rregjistruar tre humbje.