Vllaznia në volejboll për femra ka gjetur fitoren e parë në kampionat, duke mposhtur me rezultatin e pastër 3-0 ekipin “Barleti Volley”, në ndeshjen e luajtur pasditën e së premtes në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Në pamje të parë duket një fitore e lehtë, por në fakt nuk ka qenë e tillë. Vajzat shkodrane vetëm në setin e parë kanë fituar lehtësisht në shifrat 25-10 dhe kjo krijoi idenë se ndeshja do të mbyllej shpejt, por nuk do të ndodhte kështu.
Në dy të tjerët, do të kishte shumë rivalitet dhe ato vetëm në fund do të fitoheshin nga Vllaznia në shifrat 25-23 dhe 26-24. Pas ndeshjes, trajnerja Nora Deda u shfaq e lumtur për këtë sukses, teksa falënderoi të gjitha vajzat e ekipit për këtë fitore.
Kjo fitore, e cila u arrit ndaj një rivali direkt siç është Barleti, është pritur mjaft mirë edhe nga presidenti i ekipit të Vllaznisë, Florian Zekja, i cili tha se është i kënaqur me punën e vajzave dhe atë ç’ka dhanë ato në fushë.
Në këtë mënyrë, Vllaznia në volejboll për femra merr një fitore me shumë vlerë, e cila u arrit ndaj një rivali direkt, siç është ekipi i “Barleti Volley”.