Vllaznia e volejbollit të femrave ka fituar me shumë vështirësi në ndeshjen e javës së parafundit të Kupës së Shqipërisë. Vajzat kuqeblu u ndeshën me Teutën në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe triumfuan me set final 3-2. Në fakt, ka qenë një paraqitje që ka lënë shumë për të dëshiruar nga ana e ekipit shkodran dhe jo më kot, trajnerja Nora Deda është parë gjatë gjithë kohës të jetë e nervozuar. Vllaznia i fitoi dy setet e para 25-20 dhe 25-22, duke krijuar idenë se do ta mbyllte shpejt ndeshjen, por nuk do të ndodhte një gjë e tillë.
Volejbollistet e saj lëshojnë në fushën e lojës dhe nga kjo gjë, përfitojnë durrsaket që fillimisht fitojnë setin e tretë 25-21, duke rihapur ndeshjen, por më pas edhe të katërtin 25-23, duke barazuar gjithçka dhe duke e çuar këtë përballje në set final. Në këtë të fundit, u zhvillua një lojë me rivalitet dhe si rrjedhojë, vetëm në fund do të ishte Vllaznia që do ta fitonte 15-13, duke fituar në këtë mënyrë edhe krejt ndeshjen me rezultatin 3-2.
Kur ka mbetur edhe një javë nga përfundimi i ndeshjeve të fazës së grupeve, Vllaznia në volejboll për femra ka grumbulluar vetëm 5-pikë, duke mos qenë në këtë mënyrë në gjendje të vazhdojë më tej rrugëtimin e saj në Kupën e Shqipërisë. Një ecuri kjo e logjikshme, nisur nga kontigjenti shumë i reduktuar që ka në dispozicion stafi teknik, me në krye trajneren Nora Deda.