Vllaznia në volejboll për femra ka marrë një tjetër fitore me shumë vlerë. Vajzat kuqeblu fituan në Shkodër ndaj Pogradecit me rezultatin 3-2, në një ndeshje që dhuroi shumë emocione. Në fakt, kanë qenë vendaset e trajneres Nora Deda, të cilat e fituan setin e parë me shifrat 25-22, por Pogradeci luan më mirë në dy setet e tjera, duke i fituar ato pa shumë vështirësi 18-25 dhe 20-25.

Miqtë kaluan në avantazh dhe u mendua se ato do ta fitonin ndeshjen, por nuk do të ndodhte një gjë e tillë. Në dy setet e fundit, është Vllaznia që luan më mirë dhe si rrjedhojë arrin t’i fitojë ato me shifrat 25-18 dhe 15-10 e në këtë mënyrë, krejt ndeshjen me rezultatin 3-2. Pas ndeshjes, trajnerja e Vllaznisë, Nora Deda, tha se është e kënaqur me rezultatin, por jo me lojën.

Nga ana tjetër, trajnerja e Pogradecit, Mimoza Shahu, tha se në këtë ndeshje fitoi më i miri.Me këtë fitore, Vllaznia është ngjitur në kuotën e 13-pikëve, duke u pozicionuar në vendin e pestë të renditjes.

Artikulli paraprakKF VLLAZNIA FESTON 105-VJETORIN
Artikulli tjetërNIS FUSHATA NË MBROJTJE TË VIKTIMAVE TË KRIMIT