Vllaznia në volejboll për femra duket se është gati për nisjen e sezonit të ri. Në krye të pankinës kuqeblu, ka ardhur dyshja e mirënjohur Nora Deda dhe Ardian Dodani, të cilët kanë nisur punën prej ditësh me grupin e vajzave shkodrane. Zv/trajneri i këtij ekipi, Ardian Dodani, në një intervistë për Star Plus, thotë se këtë sezon Vllaznia nuk do të ketë pretendime maksimale për vetë faktin se përgatitjet kanë nisur vonë, ndërsa shton se duhet të ketë një ndihmë më të madhe nga Bashkia e Shkodrës.
Dodani flet edhe për largimet e vajzave të reja nga Shkodra, fenomen që ka qenë i shumtë në vitet e fundit.
Ndërkohë, kapitenja Klodeta Zhivani thotë se ndryshimi i trajnerëve është pritur mirë nga skuadra, ndërsa thotë se objektiv do të jetë hyrja në 4-shen më të mirë të kampionatit.
Vllaznia në volejboll për femra do ta nisë sezonin e saj nga ndeshja e Kupës me Partizanin, ndërsa java e parë e kampionatit do të jetë me Skënderbeun në Korçë.