Vllaznia në volejboll për femra e ka nisur me humbje edhe fazën e dytë të kampionatit. Në ndeshjen e luajtur pasditën e së hënës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, vajzat kuqeblu, pavarësisht lojës së mirë dhe ndryshimeve në përbërje, janë mposhtur me rezultatin 3-0 nga Skënderbeu. Këta të fundit treguan potencën e ekipit kryesues të kampionatit përballë një Vllaznie të tjetërsuar, së cilës ndoshta i mungoi vetëm përvoja e volejbollisteve të saj për të dalë triumfuese, me Skënderbeun që në fund triumfoi, duke fituar krejt ndeshjen në shifrat 3-0. Megjithatë, trajnerja e Vllaznisë, Nora Deda, kishte ankesat e saj për arbitrat, për të cilët tha se ndikuan në rezultatin e ndeshjes.

Nga ana tjetër, trajneri i Skënderbeut, Orlando Koja, tha se ishte një ndeshje e bukur dhe e luftuar, pavarësisht rezultatit.

Edhe volejbollistja shkodrane e Skënderbeut, Sara Malaj, u shfaq e emocionuar pas kësaj fitoreje ndaj ish-shoqeve të saj të ekipit.

Vllaznia, me ardhjen e tre volejbollisteve të huaja, duket e tjetërsuar, teksa paraqitja ndaj Skënderbeut është një tregues se ekipi shkodran do të jetë krejt ndryshe në gjysmën e dytë të sezonit.

Artikulli paraprakVLLAZNIA NË FOKUSIN E “STAR SPORT”
Artikulli tjetërBASHKIA MBËSHTETJE PËR BESËLIDHJEN NË 2024