Ekipi i femrave të Vllaznisë në volejboll e ka nisur me humbje kampionatin kombëtar. Ato kanë luajtur në Korçë ndaj Skënderbeut vendas dhe janë mposhtur me rezultatin e pastër 3-0, ndryshe nga ekipi i meshkujve që fitoi 1-3. Vajzat e drejtuara nga trajnerja Nora Deda nuk kanë arritur të bëjnë asgjë përballë Skënderbeut që drejtohet nga trajneri Orlando Koja. Në këtë mënyrë trajnerja e re e Vllaznisë e nis me humbje aventurën e saj në radhët e vajzave kuqeblu. Gjithsesi siç dihet, Skënderbeu ka krijuar një ekip shumë të forte sivjet dhe synon fitimin e titullit kampion. Për këtë arsye, edhe në ndeshjen ndaj Vllaznisë, ka dominuar në të gjitha drejtimet. Në setin e parë, Skënderbeu e ka lënë ekipin shkodran me vetëm 15-pikë, ndërsa epërsia në të dytin ka qenë edhe më e madhe në favor të korçareve dhe është mbyllur 25-12. Pothuajse e njëjta gjë edhe në të tretin, teksa Vllaznia arriti të shënojë vetëm 14-pikë, duke u detyruar në këtë mënyrë të pranojë humbjen në shifrat 3-0 ndaj Skënderbeut pretendent. Kjo ndeshje tregoi se objektivat e Vllaznisë për të qenë mes katër ekipeve më të mira në fund të sezonit mbeten tejet të vështira. Drejtuesit kërkojnë që vajzat kuqeblu të bëjnë një sezon dinjitoz dhe të arrijnë në katërshe por fusha e lojës në këtë fillim sezoni të paktën deri tani po tregon të kundërtën. Sido qoftë është ende herët dhe Vllaznia ka mundësi që të përmirësojë lojën e saj por edhe të përforcohet me volejbolliste të tjera për të arritur objektivin që kërkon. Edhe vitet e kaluara volejbollistet shkodrane janë nisur me idenë për të qenë në fazën Play Off por nuk ia kanë dalë. Edhe këtë vit ndryshimet nuk janë të mëdha dhe misioni mbetet i vështirë për t’u realizuar. Kjo për shkak edhe të kontigjentit që ka në dispozicion dyshja e stafit teknik, Nora Deda dhe Ardian Dodani.

Artikulli paraprakGJAKMARRJA, 30 FAMILJE TË NGUJUARA NË LEZHË
Artikulli tjetërVOLEJ MESHKUJ, VLLAZNIA E NIS ME FITORE