Me vetëm 9-volejbolliste të gatshme, Vllaznia e volejbollit të femrave nuk ka mundur dot të bëjë asgjë ndaj një Partizani të kompletuar dhe me shumë pretendime. Në ndeshjen e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, vajzat e kuqe kanë fituar me rezultatin e pastër 3-0. Në setin e parë, Vllaznia e nisi më mirë ndeshjen, por vetëm kaq sepse në fund do të fitonte Partizani me rezultatin 25-20.
Në të dytin, Vllaznia është inekzistente dhe arrin të marrë vetëm 10-pikë përballë 25 të Partizanit. Në setin e tretë ka disi më shumë rivalitet, por vendosi përvoja e volejbollisteve të Partizanit, që arritën ta fitojnë edhe këtë set 25-22 dhe në këtë mënyrë, edhe krejt takimin me rezultatin 3-0. Pas ndeshjes, volejbollistja e Vllaznisë, Stela Agolli u shpreh se nëse ka prurje të reja, ekipi kuqeblu do të rivalizojë me skuadrat më të mira të kampionatit.
Ndërkohë, trajnerja e Patizanit, Amarilda Sijoni, tha se ekipi i saj është gati që të fitojë të gjitha trofetë e sezonit.
Me këtë humbje, Vllaznia mbetet në kuotën e 3-pikëve, me një fitore dhe dy humbje në ndeshjet e deritanishme, por me pak shpresa për t’u kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës.