Ka zgjatur vetëm 60-minuta ndeshja e vlefshme për Kupën e Shqipërisë në volejboll për femra, ajo në mes Vllaznisë dhe Tiranës, e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Vajzat shkodrane nuk kanë mundur të bëjnë asgjë, veçse të pranojnë humbjen në shifrat 0-3, edhe ngaqë në këtë ndeshje kanë patur sërish mungesën e kapitenes Klodeta Zhivani të dëmtuar. Ekipi mik nga kryeqyteti e ka dominuar ndeshjen nga fillimi e deri në fund, duke mos i dhënë asnjë shans vendaseve për të tentuar marrjen e ndonjë pike.

Seti i parë është mbyllur me shifrat 25-16, duke treguar se kjo përballje do të mbyllej shpejt. Të njëjtat shifra do të fiksoheshin edhe në setin e dytë. Ndërkohë që, i treti ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme për Vllazninë që e pau veten në disavantazh 0-8. Gradualisht, vajzat kuqeblu fillojnë të reagojnë dhe arrijnë ta ngushtojnë diferencën deri në tre pikë, pikërisht në shifrat 12-15.

Megjithatë, vetëm kaq, sepse disa gabime të njëpasnjëshme të volejbollisteve kuqeblu, si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm, bëjnë që Tirana ta fitojë edhe këtë set 25-14 dhe në këtë mënyrë, krejt ndeshjen me rezultatin e pastër 3-0. Pas katër ndeshjesh në Kupë, ekipi i Vllaznisë ka arritur vetëm një fitore dhe ka pësuar tre humbje, duke mbajtur vendin e tretë në grup, me pothuajse shanse zero për t’u kualifikuar për në gjysmëfinale të këtij kompeticioni.

Artikulli paraprakADAM MACA NË FINALEN E KAMPIONATIT BOTËROR
Artikulli tjetërKURBIN, PLAGOSËN 20-VJEÇARIN, ARRESTOHEN DY VËLLEZËR