
Vllaznia e volejbollit për femra e ka mbyllur javën e fundit të kampionatit kombëtar me fitore. Gjithsesi, ajo nuk i ka shërbyer për asgjë, sepse nuk ka shkuar në play-off, por përkundrazi do të jetë e detyruar të luajë në play-out për të siguruar qëndrimin në Superligë për sezonin e ardhshëm. Në ndeshjen e luajtur ndaj Dinamos në “Qazim Dervishi”, Vllaznia arriti të fitojë me rezultatin 3-1. Në fakt, ishte ekipi mik, i cili fitoi setin e parë në shifrat 25-16. Megjithatë, vajzat shkodrane reaguan shpejt dhe arritën t’i fitojnë të tre setet e tjera rradhazi 25-23, 25-21 dhe 25-20, duke dalë fitues të të gjithë ndeshjes me rezultatin 3-1.
Në këtë mënyrë pas 14-javësh kampionat, ekipi kuqeblu ka arritur të grumbullojë 14-pikë, me pesë fitore dhe nëntë humbje, duke e mbyllur në vendin e shtatë të renditjes, vend që e ka lënë jashtë fazës play-off. Tashmë, Vllaznia do të jetë e detyruar të luajë në play-out për të siguruar qëndrimin në Superligë.