Vllaznia në volejboll për femra u fut në kampionatin e ri me pretendimet të mëdha për të fituar titullin kampion por në tri ndeshjet e para vajzat shkodrane kanë dështuar plotësisht. Vllaznia ka marrë humbjen e tretë radhazi në sezonin e ri duke qenë shumë larg pretendimeve dhe fjalëve të mëdha të drejtuesve të pktën deri më tani. Në javën e tretë të kampionatit kombëtar për të rritura vajzat shkodrane humbën në transfertë përballë Tiranës me rezultatin 3-0. Seti i parë përfundoi 26-24 për bardheblutë. Në setin e dytë vendaset nuk e diskutojnë fitoren dhe mundin Vllazninë në shifrat 25-19. Edhe seti i tretë nuk ka shumë histori sepse Tirana e fiton 25-17 dhe krejt ndeshjen në setet 3-0. Ndërkohë Vllaznia ka humbur edhe dy ndeshjet e mëparshme duke u mundur në javën e parë nga Partizani dhe më pas u mund edhe në Shkodër nga ekipi i Skenderbeut, skuadra kampione në fuqi. Vllaznia priste një ndryshim në javën e tretë por nuk arritën duke u mundur edhe nga Tirana. Këto tre humbje në këtë fillim kampionati natyrshëm që për momentin largojnë Vllazninë nga pretendimet e saj për fitimin e titullit kampion. Mbase është ende shumë herët por këto tri humbje janë një sinjal i qartë se rrugëtimi i vajzave shkodrane drejt titullit kampion që deri më tani është vetëm një pretendim me fjalë do mbetet i vështirë duke qenë shumë larg asaj që dëshirojnë dhe kanë pritur drejtuesit. Nga Vllaznia pati një sërë largimesh të vajzave shkodrane dhe disa incidente e pakënaqësi brenda ekipit të cilat kanë krijuar një situatë jo të mirë tek volejbollistet shkodrane. Ardhja e lojtareve të huaja pritej që ta ndryshonte situatën dhe skuadra të përforcohej por deri më tani kjo gjë nuk ka ndodhur. Kampionati është i gjatë dhe skuadra ka kohë që të përmirësohet ose të sjellë edhe lojtare të tjera por në situatën aktuale më shumë se drejt realizimit të pretendimeve vajzat e volejbollit janë drejt dështimit. Presioni nga vetë tifozët të cilët i kanë dhënë mbështetje ekipit me shpresën se do jetë vërtetë një ekip pretendent bashkë me presionin pas këtyre tri humbjeve, për Vllazninë mbetet një mision i vështirë realizimi i objektivave që kanë.