U prit me shumë entuziazëm se për herë të parë skuadra e Vllaznisë në volejboll për meshkuj mund të merrte pjesë në Kupat e Europës.

Kjo mundësi i ka ikur nga duart kuqebluve për shkak të një kërkesë të çuditshme që ka bërë federate shqiptare e volejbollit. Përveç shpenzimeve të tjera që ky klub mund të ketë në pjesëmarrjen në Kupat e Europës, federata e volejbollit i ka komunikuar një vendim duke i thënë se kërkohet një shumë prej 7 mijë euro si garanci për mbarëvatjen në këtë aktivitet të rëndësishëm.

Në këto kushte volejbollistëve në total i duhen rreth 13 mijë euro, 7 mijë për federatën shqiptare dhe 6 të tjera për shpenzimet që mund të kenë gjatë ndeshjeve jashtë Shqipërisë apo edhe disa taksa që duhen paguar si ekip pjesëmarrës në një event të rëndësishëm europian. Duke parë shumën e lartë prej 13 mijë euro që nevojitet me shumë gjasa Vllaznia e volejbollit s’do të marrë pjesë në Kupat e Europës pikërisht sepse s’ka mundësi që të përballojë këtë shumë kaq të madhe.

Në fakt në diskutim kanë qenë edhe shumë prej 6 mijë euro e shpenzimeve për shkak se vetë klubi nuk i ka këto para dhe trajneri Mark Kroqi është munduar përmes biznesmenëve apo dashamirësve të volejbollit që të sigurojë këtë shumë. Ka gjetur mbështetje tek disa biznesmenë por sëfundmi federate shqiptare e volejbollit ka shtangur të gjithë në Shkodër me kërkesën e saj se nevojiten edhe 7 mijë euro të tjera të paguhen aty si garanci.

Kjo ka shuar çdo shpresë tek kuqeblutë e volejbollit duke i humbur kështu një mundësi të mirë për pjesëmarrjen në Europë. Federata shqiptare e volejbollit në vend që të krijojë hapësira dhe të ndihmojë në këtë rast bëhet frenuese dhe pengon Vllazninë. Kjo mund të lidhet edhe me marrëdhëniet jo të mira mes federatës dhe klubit Vllaznia por e pakuptimtë që inatet mbase personale të pengojnë gëzimin e një qyteti të tërë.

Artikulli paraprakSHTUBINA ZOTOHET: S’KA SHANSE TË BIE VLLAZNIA
Artikulli tjetërVOTOHET VETTINGU, RAMA: MOMENT HISTORIK