Ekipi i Vllaznisë në volejboll për meshkuj ka humbur edhe ndeshjen e javës së tretë ndaj ekipit të Partizanit.
Të kuqtë kanë fituar pastër 3-0 ndaj ekipit shkodran duke mos e vënë në diskutim fitoren. Pavarësisht rivalitetit të kuqebluve, skuadra kryeqytetase nuk ka gabuar duke arritur kështu një tjetër fitore dhe treguar se do të jetë ajo pretendetja kryesore për fitimin e titullit kampion, gati për të thyer Studentin absolut. Seti i parë është më i rivalizuari teksa Partizanit i duhet të çojë në shtesë lojën për të arritur fitoren. 26-24 fitojnë kryeqytetasit setin e parë. Epërsia e tyre vijon edhe më tej. Në setin e dytë Partizani i drejtuar nga trajneri Ylli Tomorri pas largimit të këtij të fundit nga Studenti fiton me diferencë 25-14 setin e dytë duke çuar në 2-0 rezultatin. Vllaznia nuk ka më forcën e duhur për të reaguar dhe për të ndryshuar diçka në lojën e saj. Kryeqytetasit fitojnë 25-20 edhe setin e tretë duke siguruar kështu një fitore pa problem ndaj një Vllaznie që ende nuk është konsoliduar në këtë fillim kampionati. Shkodranët pësuan një humbje edhe me Studentin në javën e dytë dhe kjo është e dyta radhazi. Gjithsesi objektivat e Vllaznisë janë për të qenë në zonën play off në fund të kampionatit dhe kjo për skuadrën e drejtuar nga trajneri Mark Kroqi është plotësisht e mundshme. Ndeshjen e radhës volejbollistët e Vllaznisë e luajnë me Farkën në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Në këtë përballje kërkohet fitorja për kuqeblutë për të bërë edhe kthesën pas dy humbjeve radhazi dhe për të nisur ngjitjen në renditje në kampionat.