Vllaznia e ka nisur me fitore kampionatin kombëtar të volejbollit për meshkuj, duke mposhtur në Korçë ekipin e Skënderbeut me rezultatin 1-3. Kanë qenë shkodranët ata që dominuan setin e parë, set që e mbyllën me rezultatin 18-25. Në të dytin, korçarët u munduan të hyjnë në lojën e tyre, por në pikët e fundit, Vllaznia bëri diferencën, duke e fituar këtë set me rezultatin 20-25. Me dy sete të fituara, shkodranët menduan se gjërat do të shkonin thjeshtë në setin e tretë, por nuk ndodhi kështu. Volejbollistët korçarë kthyen gjithçka në favorin e tyre, duke fituar setin e tretë 25-19. Edhe në setin e katërt, ishin volejbollistët korçarë ata që dominuan lojën, por gjërat u zgjidhën me pikët e fundit, pike që shkuan për Vllazninë, e cila fitoi setin e katërt me rezultatin 23-25 dhe krejt takimin 1-3. Në këtë ndeshje të pare të kampionatit, Vllaznia luajti me volejbollistët më të mire që kishte në dispozicion, duke nisur nga kapiteni Qafarena, Preka, Curraj, Lugaj, Lleshi, Çekini, Talani, Jula, Rrashketa dhe Taflaj. Ndërkohë, ndeshjen e ardhshme të kampionatit, kuqeblutë do ta luajnë më 22 shtator në Shkodër në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ndaj ekipit të Studentit. Shkodranët këtë sezon synojnë që të bëjnë një paraqitje të mirë dhe të futen mes katër ekipeve më të mira. Në fakt kuqeblutë u eleminuan nga Kupa e Shqipërisë por pavrësisht kësaj gjetën forcën e duhur për ta nisur me fitore kampionatin në ndeshjen e parë që u zhvillua në Korçë ndaj Skenderbeut vendas. Objektivi minimal i djemve të volejbollit është që të futen të paktën mes katër ekipeve më të mira për të synuar më pas trofeun në fazën Play Off.

Artikulli paraprakVOLEJ FEMRA, VLLAZNIA HUMBET NDESHJEN E PARË
Artikulli tjetërDOGANA HANI HOTIT, KAPEN 300 KG KANABIS