Vllaznia në volejboll për meshkuj ka fituar pa probleme ndeshjen e radhës përballë ekipit të Elbasanit.
Shkodranët kanë luajtur më mirë dhe kanë fituar takimin. Sfida është luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër. 3-0 është rezultati final mes Vllaznisë dhe Elbasanit. Ka qenë një ndeshje e kontrolluar totalisht nga Vllaznia e cila nuk e ka vënë asnjëherë në diskutim fitoren. Me kuqeblutë ka luajtur edhe malazezi Tatar i ardhur si përforcim në këtë ekip. Vendasit e nisin mjaft mirë teksa arrijnë që të fitojnë në setin e parë në shifrat 25-16. Shkodranët lëshojnë pak në lojën e tyre dhe vihen në provë në setin e dytë. Djemtë e drejtuar nga Artan Kalaja nuk gabojnë as në setin e dytë dhe fitojnë 26-24 duke çuar në 2-0 rezultatin. Vllaznia vijon që të luaj më mirë ndërsa praktikisht Elbasani dorëzohet në Shkodër duke mos patur fuqinë e duhur për t’i bërë ballë Vllaznisë. Volejbollistët kuqeblu janë të saktë në lojën sulmuese por edhe bllokojnë mirë në rrjetë kundërshtarët. Në këtë mënyrë seti i tretë vlen më shumë për statistikë sepse Vllaznia e fiton me të njëjtin rezultatin si në setin e parë 25-16 dhe krejt takimin me rezultatin e përgjithshëm 3-0. Për shkodranët luajtën Tatar, Kristjan Kola, Taflaj, Anton Qafarena, Jukni, Miloti, Preka, Lloshi, Renato Kola dhe Çekini ndërsa për Elbasanin Doko, Kallajxhiu, Tallumaj, Çullakaj, Çeta dhe Bakiri. Me këtë fitore ndaj Elbasanit Vllaznia vijon pretendimet e saj në këtë sezon për fitimin e titullit kampion, një trofe i shumëdëshiruar për kuqeblutë vitet e fundit por që nuk është bërë realitet me shpresën se do të arrihet kësaj here.