Vllaznia e volejbollit të meshkujve ka marrë fitoren e dytë në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, pikërisht në duelin ndaj Skënderbeut, të luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Kuqeblutë triumfuan me rezultatin 3-2 ndaj korçarëve. Takimi nisi mirë për vendasit që fituan dy setet e para.

Megjithatë në vazhdim, korçarët fituan dy setet e tjera, duke e çuar përballjen në set final. Në këtë set, shkodranët arritën të fitojnë 15-11 dhe në këtë mënyrë edhe krejt ndeshjen me rezultatin 3-2. Pas ndeshjes duke folur për mediat, trajneri i Vllaznisë Artan Kalaja u shpreh i kënaqur me fitoren ndaj një ekipi të fortë si Skënderbeu, por sipas tij skuadra ka ende shumë gjëra për të rregulluar.

Pas ndeshjeve të javës së tretë të Kupës së Shqipërisë, Vllaznia me pesë pikë ndodhet e pozicionuar në vendin e tretë në grupin B, duke qenë në garë për njërin prej dy vendeve të para, të cilat e çojnë në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni.

Artikulli paraprakVRASJA E RAPSODIT DHE MIKUT TË TIJ NË LEZHË
Artikulli tjetërBIE NUMRI I BAGËTIVE NË LEZHË