Vllaznia në volejboll për meshkuj ka humbur në ndeshjen e rradhës në kampionat ndaj Partizanit. Kuqeblutë tentuan dhe luftuan shumë gjatë këtij dueli, por brazilianët e Partizanit bënë diferencën, me ekipin e kuq që fitoi me meritë me rezultatin 1-3. Në fillimin e kësaj ndeshje u mbajt edhe një minutë heshtje në nderim të ish-volejbollistit dhe ish-trajnerit të Vllaznisë, Adrian Mikopula, ndarë nga jeta pak ditë më parë në moshën 60-vjeçare.

Sa i takon duelit në fushën e lojës, ndeshja ishte e hapur gjatë gjithë ecurisë së saj. Seti i parë u fitua nga Partizani me shifrat 20-25. Të dytin, Vllaznia e fiton 25-21. Në të tretin, kemi një dominim më të madh të Partizanit, i cili e mbyll me fitore 15-25. Seti i katërt ishte ai që vendosi për fitoren e krejt ndeshjes nga Partizani me rezultatin 1-3, set që u fitua me shifrat 18-25. Në këtë duel, trajneri i kuqebluve, Artan Kalaja, i besoi shumë kanadezit Dube, i ardhur dy ditë më parë tek Vllaznia, duke e lënë gjatë të gjithë kohës si titullar në fushën e lojës.

Megjithatë, për hir të së vërtetës, kanadezi ishte larg pritshmërisë, kjo ndoshta edhe nga koha e pakët e përshtatjes me skuadrën, gjë të cilën e pranoi edhe vetë trajneri i Vllaznisë, Artan Kalaja.

Ndërkohë, trajneri i Partizanit, Ylli Tomorri, u shpreh se Vllaznia në një të ardhme më të afërt, do të jetë një skuadër më e fortë.

Me këtë fitore, Partizani rregjistron suksesin e katërt rradhazi në katër javë kampionat. Ndërkohë që, Vllaznia pëson humbjen e dytë, pas asaj në Shijak javën e kaluar, duke mbetur vetëm me dy fitore, ato ndaj Skënderbeut në transfertë dhe Studentit në Shkodër.

Artikulli paraprakAKADEMIA VLLAZNIA, NJË FITORE DHE NJË HUMBJE
Artikulli tjetërVOLEJ FEMRA, PARTIZANI FITON NDAJ VLLAZNISË