Për herë të parë pas disa vitesh Vllaznia në volejboll për meshkuj rrezikon që të mos marrë pjesë në fazën play off ku diskutohet titulli kampion.
Skuadra shkodrane ka pësuar një humbje në Tiranë me ekipin e Farka Volej. Kryeqytetasit fituan 3-1 ndaj Vllaznisë duke bërë që momentalisht shkodranët të dalin nga objektivat e tyre. Skuadra e drejtuar nga trajneri Mark Kroqi është zhvendosur në vendin e pestë me 17 pikë, 4 më pak se Tirana që mban vendin e katërt. Në këtë mënyrë kjo humbje me Farkën ia ka vështirësuar situatën Vllaznisë duke bërë që të rrezikojë ndjeshëm pjesëmarrjen në Play Off. Farka Volej e ka nisur mirë lojën teksa arrin që të fitojë 25-23 setin e parë. Vllaznia nuk lëshon lehtësisht në kryeqytet dhe risjell barazpeshën duke fituar setin e dytë në shifrat 29-31, set që u shty me 6 pikë për shkak të rivalitetit. Farka Volej rikthehet shpejt duke dominuar dhe duke mos bërë hap fals. Vendasit fitojnë 25-18 setin e tretë duke marrë sërish avantazhin në 2-1. Vllaznisë nuk i mbetet shumë ndërsa Farkës i mjafton një set për të marrë fitoren. Dhe në fakt kështu ndodh. Seti i katërt ka rivalitet por fitohet nga Farka Volej në shifrat 25-22 duke bërë që ta fitojë krejt takimin me rezultatin e përgjithshëm 3-1. Vllaznia ka një ndeshje më pak se 4 ekipet kryesuese por sërish mbetet një mision i vështirë sepse Tirana ka një diferencë prej 4 pikësh me shkodranët e vendit të pestë. Ka ende ndeshje për t’u luajtur dhe pritet një autokritikë por volejbollistët e Vllaznisë rrezikojnë më shumë se kurrë fazën play off.