Vllaznia e volejbollit të meshkujve është rikthyer sërish tek fitorja, duke fituar me rezultatin 3-0 ndaj Elbasanit, në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Në duelin e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, ndeshja u dominua në të gjitha drejtimet nga kuqeblutë. Dy setet e para nuk kanë patur shumë histori dhe vendasit i kanë fituar krejt lehtësisht ndaj një Elbasani inekzistent, i cili në setin e parë shënoi vetëm 12-pikë dhe në të dytin 13. U mendua se ndeshja do të mbyllej shpejt, por nuk do të ndodhte kështu.
Elbasani reagoi duke qenë vazhdimisht në udhëheqje të rezultatit, por edhe Vllaznia nga ana e saj u rifut në lojë dhe e fitoi këtë set 25-23 e në këtë mënyrë edhe krejt ndeshjen me rezultatin e pastër 3-0. Pas këtij dueli, trajneri i Vllaznisë, Artan Kalaja, u shpreh i kënaqur me ecurinë e deritanishme dhe njëkohësisht tha se duhet të vazhdojë puna në të njëjtën mënyrë për të ecur të sigurtë drejt arritjes së objektivit.
Në këtë mënyrë, pas fitores 3-0 javën e parë ndaj Skënderbeut dhe humbjen 3-2 javën e dytë ndaj Erzenit, vjen kjo fitore që e ngjit Vllazninë në kuotën e 7-pikëve, duke mbajtur tashmë vendin e dytë në grup dhe duke qenë brenda objektivit të saj për të shkuar në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.