Skuadra e Vllaznisë në volejboll për meshkuj ka bërë një përforcim të rëndësishëm.
Kuqeblutë ashtu siç është pritur kanë firmosur me volejbollistin Vladan Xhorxheviç. 34-vjeçari nga Serbia i është bashkuar ekipit shkodran të drejtuar nga trajneri Mark Kroqi duke nisur kështu edhe seancat stërvitore. Xhorxheviç pritet që të jetë një lojtar i rëndësishëm për Vllazninë duke e ndihmuar në objektivat e saj që ka për fitimin e Kupës së Shqipërisë apo edhe titullit kampion. Xhorxheviç është një volejbollist me një eksperiencë të gjatë pasi ka luajtur për disa skuadra në vende të ndryshme duke dhënë kontributin e tij. 34 vjeçari ka luajtur për Partizanin e Beogradit ndërsa që ka provuar të aktivizohet edhe në kampionatin turk me Gallatasarai apo edhe në Greqi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Sëfundmi Xhorxheviç ka preferuar që të luaj në Qipro me një prej ekipeve vendase atje. Nga sa bëhet e ditur trajneri Mark Kroqi ka arritur akordin me serbin sepse është një lojtar që luan në pozicionin 4 ku shkodranët kishin një mangësi. Kuqeblutë janë afër trofeve dhe kanë bërë paraqitje dinjitoze si në Kupë edhe në kampionat por tashmë gjërat kanë ndryshuar sepse ekipet e tjera kanë bërë disa përforcime ndaj Vllaznia nuk ka qëndruar në vendnumëro. Shkodranët me ardhjen e Xhorxheviç janë plotësuar edhe më shumë teksa serbi sëbashku me pjesën tjetër të ekipit do të kërkojnë fitimin e Kupës dhe titullit kampion. Vllaznia ka të gatshëm edhe Ditmir Rrashketën i cili ka lënë pas dëmtimin e tij duke bërë që ekipi i trajnerit Kroqi të jetë gati për fazën e dytë të sezonit duke tentuar që të sjellë në Shkodër ndonjë trofe të mundshëm.