Skuadra e Vllaznisë në voleboll për meshkuj ka arritur një tjetër fitore përballë ekipit malazez të Budoçnostit.
Kësaj here ndeshja miqësore është luajtur në pallatin e sportit të Podgoricës. Edhe pse në transfertë volejbollistët e Vllaznisë kanë arritur që të fitojnë me rezultatin e përgjithshëm 3-1. Në fakt shkodranët e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja nuk e kanë nisur mirë lojën sepse kanë humbur në setin e parë. Sipas teknikut Kalaja një ndikim kishte edhe përshtatja me pallatin e sportit në Podgoricë. Vetëm kaq kanë arritur të bëjnë vendasit sepse më pas ka qenë Vllaznia ajo që ka marrë frenat e lojës. Kuqeblutë kanë fituar tre sete me radhë duke arritur kështu që ta fitojnë krejt ndeshjen në setet 3-1. Në fakt për Vllazninë ky takim miqësor nuk vlen shumë për rezultatin se sa një parapërgatitje përpara rikthimit të ndeshjeve të kampionatit. Në Podgoricë me kuqeblutë ka luajtur edhe malazezi Millosh Tatar. Volejbollisti është pasues dhe cilësohet një përforcim i rëndësishëm për shkodranët. Nga sa mësohet trajneri Kalaja ka vendosur që ta mbajë në ekip ndërsa nuk mund të afrojë lojtarë të tjerë për shkak të pamundësisë ekonomike për t’i paguar. Ndeshja miqësore ndaj Budoçnostit është e fundit dhe nuk ka më kohë sepse në fundjavë kampionati kombëtar i volejbollit do të zhvillojë pjesën e mbetur të sezonit. Fillimisht kuqeblutë luajnë në transfertë me Farka Volej ndërsa të mërkurën e ardhshme presin Elbasanin në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Vllaznia këtë sezon ka shfaqur pretendime serioze dhe kuqeblutë janë në vallen për të fituar titullin kampion por edhe Kupën e Shqipërisë edhe pse do jetë një rrugë e vështirë ndaj skuadrave rivale.