Skuadra e Vllaznisë në volejboll për meshkuj ka qenë shumë afër fitimit të Kupës së Shqipërisë por nuk ia ka arritur qëllimit.
Partizani ka fituar 3-2 ndaj kuqebluve në një sfidë tejet të luftuar në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Ndeshja ka qenë me rivalitet dhe ka dhuruar emocione për të pranishmit duke përmbushur kriteret e një finaleje të vërtetë e cila kishte vite që i mungonte volejbollit shqiptar. Hera e fundit kur Vllaznia ka fituar kupën në volejboll është viti i largët 1989. Shkodranët tentuan deri në fund për ta bërë të tyrin këtë trofe por Partizani përveç fatit u përqendrua më mirë psikologjikisht duke parë edhe eksperiencën me vete. Seti i parë fitohet nga të kuqtë me rezultatin 25-23. Vllaznia menjëherë tregon se nuk është kalimtare në këtë finale të kupës dhe arrin që të fitojë 25-22 setin e dytë duke barazuar në 1-1. Partizani nuk shkon mirë në lojë dhe Vllaznia tregon dhëmbët në parket duke fituar edhe setin e tretë dhe duke kaluar në epërsi 2-1. Skuadra e Ylli Tomorrit mbledh forcat përballë Vllaznisë dhe në setin e katërt është më e qetë duke fituar me diferencë 25-15 dhe duke barazuar sërish kësaj here në 2-2. Gjithçka i mbetet setit të fundit që gjithashtu shoqërohet me emocione e rivalitet. Rezultati shkon në 15-15 dhe tashmë duhet shtesa për të shpallur fituesin. Partizani e administron më mirë situatën dhe realizon dy pikë radhazi duke fituar 17-15 setin e pestë dhe krejt ndeshjen 3-2 duke fituar kështu Kupën e Shqipërisë dhe duke i hequr Vllaznisë këtë shans për të bërë të sajin këtë trofe.