Sezoni I kaluar ka qenë krejtësisht për t’u harruar për ekipin e volejbollit të femrave të Vllaznisë I cili nuk arriti të futet në zonën e plej- ofit.
Por ndryshimet në drejtimin e tij, duket se kanë ndikuar për mirë dhe kjo pritet të reflektojë edhe në rezultatet e sezonit të ri. Pa lënë mënjanë faktin se shumica e vajzave pjestare të këtij ekipi janë në moshë të re dhe sivjet kanë edhe një vit më shumë eksperiencë, çka do të thotë një kontribut më I madh në fushën e lojës.
Trajneri Mark Kroqi që ka marrë drejtimin e kësaj skuadre bashkë me kolegun e tij Adrian Mikopli, kanë nisur një punë shumë serioze ku mbi të gjitha kanë vënë theksin tek disiplina sportive. Ky element konsiderohet shumë I rëndësishëm në mbarëvajtjen e ecurisë së një ekipi dhe pritet të japë efektin e vet edhe në rezultatet e tij.
Bashkë me pjesën tjetër të vajzave që kanë qenë edhe më përpara pjesë e tij, tashmë janë bashkuar edhe 3-4 të tjera që vijnë nga ekipi I të rejave kampion në fuqi I vendit. Kjo ka bërë që të shtohet rivaliteti duke qenë një garanci më shumë në rritjen e performancës së secilës prej vajzave.
Nëse sezonin e kaluar Vllaznia e volejbollit të femrave nuk ia doli të renditet në mes katër më të mirave të kampionatit, por në kampionatin e ardhshëm pretendimet do të jenë krejt të tjera. Jo vetëm që ekipi do të futet në zonën e plej-ofit por do të synojë edhe më shumë.
Trajneri Kroqi e ka bërë të qartë se brenda dy vitesh ky ekip do të shndërrohet në një ekip pretendent për fitimin e trofeve të volejbollit shqiptar. Të gjithë treguesit flasin në favor të arritjes së këtij objektivi dhe mbetet për t’u parë nëse do të ndodhë vërtetë kështu apo jo.