Skuadra e Vllaznisë në volejboll për meshkuj ka arritur që të fitojë 3-2 në ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë përballë ekipit të Erzenit.

Në sfidën që u luajt në qytetin e Durrësit, kuqeblutë edhe pse me vështirësi arritën që të mund ekipin vendas. Shkodranët e nisin më mirë teksa janë në epërsi që në setin e parë duke treguar qartazi objektivat e tyre. 25-16 fiton Vllaznia setin e parë. Në të dytin vendasit e Erzenit janë më rivalizues por sërish Vllaznia nuk lëshon në lojën e saj duke fituar kështu 25-22. Kur pritej që shkodranët të mbyllnin llogaritë e kësaj sfidë, janë durrsakët të cilët zgjohen dhe luftojnë deri në fund pikë për pikë. Erzeni arrin fillimisht të marrë setin e tretë duke fituar 25-20 dhe duke ngushtuar në 2-1 rezultatin. Durrsakët bëjnë maksimumin e tyre dhe fitojnë edhe setin e katërt 25-20 duke bërë që tashmë të ketë një barazpeshë në 2-2. Vllaznia nga ana e saj mbledh forcat dhe nuk lejon më gabime. Shkodranët rikthehen në lojën e tyre dhe pavarësisht rivalitetit të ekipit kundërshtar ekipi i drejtuar nga trajneri Mark Kroqi fiton15-13 setin e pestë dhe krejt ndeshjen 3-2. Me këtë fitore Vllaznia është shumë pranë kualifikimit në finalet e Kupës edhe pse do të ketë sërish ndeshje javën e ardhshme. Një fitore kanë arritur edhe basketbollistët e Vllaznisë të cilët kanë marrë një fitore të rëndësishme në transfertë me Ardhmërinë në shifrat 60-52. Edhe pse një përballje me rivalitet kuqeblutë siguruan fitoren. Në këtë ndeshje për shkodranët u aktivizua edhe lojtari i sapo ardhur Hamati i cili shënoi 12 pikë në ndeshjen e tij të parë me Vllazninë.

Artikulli paraprak2017, RRITET MË DY MUAJ MOSHA E PENSIONIT PËR GRATË
Artikulli tjetër‘VIT I RI, AVAZ I VJETËR”, JA ÇFARË PO NDODH NË KOPLIK