Vllaznia nuk ia ka dalë që të fitojë ndaj Partizanit në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Play Off-it duke humbur mundësinë për të shkuar direkt në finale pas fitores që shkodranët morën në përballjen e parë në transfertë.

Kuqeblutë shpresonin në një triumf përballë publikut të tyre për të kapur finalen e madhe por Partizani nuk ka gabuar më ashtu si herën e parë. Të kuqtë fituan 3-2 në Shkodër përballë Vllaznisë në një ndeshje tejet të luftuar deri në fund.

Pas ndeshjes trajneri i Vllaznisë Mark Kroqi beson tek kualifikimi në finale në ndeshjen e tretë dhe të fundit me Partizanin ndërsa humbjen në Shkodër ia faturoi arbitrave.

Trajneri i Partizanit Ylli Tomorri vlerësoi Vllazninë ndërsa për të gjykimi i ndeshjes ishte korrekt. Vllaznia kishte avantazhin 24-20 në setin e parë por Partizani e përmbysi duke fituar 30-28. Seti i dytë i takon Vllaznisë teksa e fitoi 25-18. Të kuqtë morën sërish avantazhin duke fituar 25-23. Me të njëjtin rezultat shkodranët fitojnë setin e katërt dhe barazojnë në 2-2.

Në setin e pestë Vllaznia nuk arrin të përqendrohet ndërsa e humbet shumë lehtësisht. Mes Vllaznisë dhe Partizanit do të jetë ndeshja e tretë dhe e fundit që vendos se cila prej dy ekipeve do kalojë në finale.

Artikulli paraprakFESTA E PASHKËVE, URIME PËR BESIMTARËT ORTODOKSË
Artikulli tjetërVJEDHJA E THESARIT TË BSH, GOLEMI APELON DËNIMIN, KËRKON PAFAJËSI